Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në emisionin Five në RTV Dukagjini ka thënë se PDK është përmbajtur të komentojë lidhur me vendimin që pritet të nxjerrë Gjykata Kushtetuese, me qëllim që të mos interferojë apo të duket si ndërhyrje në vendimmarrje.
Ajo ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese është bërë adresa kryesore dhe e vetme, fatkeqësisht, për të zgjidhur problemet politike në Kosovë.
“Ajo me të cilën po ballafaqohemi nuk është as krizë juridike, as krizë kushtetuese, por krizë politike e cila ka ardhur kryekëput si rezultat i kryeneqësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit”, ka thënë ajo.
Çitaku ka kujtuar se PDK kishte thënë se formimi i komisionit për votim të fshehtë ishte shkelje kushtetuese, mirëpo, sipas saj, “me kokëfortësi, me kryeneqësi z. Kurti përmes z. Dehari si kryesues i seancës insistonte në themelimin e atij komisioni”.
“Çfarë bëmë? Humbëm muaj të tërë. Tani e njëjta gjë u provua të bëhet edhe me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit nga ana e komuniteteve jo shumicë”, ka thënë ajo.