Trump pret Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë: Jam shumë i sigurt për paqe në Gaza

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pritur këtë të hënë në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ndërsa Trump përshëndeti Netanyahun, disa gazetarë u dëgjuan duke e pyetur në ambientet e Shtëpisë së Bardhë ku njëri prej tyre i tha:

“A jeni i sigurt se do të ketë paqe në Gaza së shpejti?”

Të dy ngritën gishtin e madh lart ndërsa Trump shprehu besim në arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës në Gaza dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbetura, Netanyahu qëndroi duarkryq duke buzëqeshur.

“Jam shumë i sigurt”, tha Trump raporton Euronews përcjell Dukagjini.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të diskutojnë një plan të ri paqeje me 21 pika, për të cilin Trump shpreson se mund të ndihmojë në përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës.

Të dy udhëheqësit ndodhen aktualisht në një takim në Zyrën Ovale, i cili po zhvillohet pa praninë e mediave.

Pas takimit kokë më kokë, Trump dhe Netanyahu do të drekojnë së bashku dhe më pas pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku mund të ndajnë më shumë detaje mbi planin dhe bisedimet mes tyre.

Takimi po zhvillohet në një moment me ndjeshmëri të lartë ndërkombëtare, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht në Rripin e Gazës vijojnë të jenë në fokus.

Kjo shënon vizitën e katërt të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump.