Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se nga sot do të nis vaksinimi kundër gripit sezonal.
Sipas tyre vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur veten dhe të afërmit nga gripi dhe komplikimet e tij.
“U bëjmë thirrje qytetarëve, sidomos të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal. Vaksinimi kundër gripit bëhet çdo ditë pune në njësitë e vaksinimit, në kuadër të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në çdo komunë”, thuhet në njoftimin e MSh-së, transmeton Dukagjini.
Simptomat më të zakonshme të gripit sezonal janë: ethet, kollitja, dhembjet e muskujve, lodhja dhe dhembjet e kokës.
Punonjësit e shëndetësisë rekomandohet fuqimisht të vaksinohen për të garantuar sigurinë e tyre dhe të pacientëve që trajtojnë. Po ashtu, gratë shtatzëna rekomandohen të vaksinohen për mbrojtje të plotë të tyre dhe të foshnjës.
Profesione të tjera me rrezik të shtuar që rekomandohet të vaksinohen janë: punëtorët e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, banorët dhe stafi i shtëpive të të moshuarve, mësimdhënësit dhe edukatorët si dhe kujdestarët e pacientëve me imunitet të dobësuar.
Vaksinimi kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse, të cilat janë furnizuar me vaksina nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK).