Sot rreth orës 15:30, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë për të shtëna me armë zjarri gjatë një ceremonie dasme në rrugën “Mihajl Grameno”.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar personin e dyshuar, Sh.I., 56-vjeçar, i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri, e cila rezultoi të ishte me leje.
Nga vendi i ngjarjes policia ka sekuestruar një pistoletë, tetë gëzhoja dhe lejen e armës. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia Rajonale në Ferizaj ka apeluar tek qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje familjare, duke theksuar se një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për jetën e njerëzve.