
Shkruan Radomir Dimiç
Më 5 tetor u mbushën 25 vjet nga rrëzimi dhe më pas dorëzimi në Hagë i Sadamit Husein serb, kasapit Slobodan Millosheviq. Edhe 25 vjet më pas, 5 tetori i vitit 2000 mbetet dita kur qytetarët dolën në rrugë dhe rrëzuan një regjim kriminal. Për disa, 5 tetori është simbol i guximit qytetar dhe shpresës se ndryshimi është i mundur; për të tjerë, një shans i humbur dhe fillimi i zhgënjimeve të reja.
Në vend të ndryshimeve demokratike, paqes e stabilitetit, nuk u çrrënjos fashizmi serb dhe mbetjet e shpërndara që sot qeverisin Serbinë fashiste. Dhe ajo ditë u shndërrua në një ditë iluzioni. Sipas pohimeve të shumëkujt, i vetmi tubim që, të paktën për nga numri, e ka tejkaluar 5 tetorin është protesta studentore e mbajtur më 15 mars të këtij viti.
Por atë 5 Tetor 2000, mbi ndërtesën e atëhershme të Kuvendit ngrihej tymi, ndërsa në rrugë ishin minatorët nga Kolubara, studentët nga Beogradi dhe qytetarë nga vende të ndryshme të Serbisë. Shumëkush aso kohe besoi se populli më në fund e kishte marrë atë që për vite me radhë i ishte mohuar – ndjesinë se shteti ishte i tij.
Mirëpo, 25 vjet më vonë, ajo ndjesi u shndërrua në mit dhe kujtim të shoqëruar me hidhërim. Disa mendojnë se 5 Tetori, sidoqoftë, erdhi vonë, çka çoi në luftërat që pushteti kriminal zhvilloi, në mjerim shpirtëror, varfëri materiale dhe pozitë të dobët në skenën ndërkombëtare. Gabimi fatal ishte lidhja me struktura të caktuara që kishin qenë pjesë e regjimit. Prandaj nuk është për t’u habitur pse deri te miti i 6 Tetorit nuk erdhi kurrë.
U amnistuan shumë kriminelë që nuk iu kundërvunë rrëzimit të Millosheviqit, si për shembull JSO-ja, në krye të së cilës ishte Milorad Ulemek. Po ata më pas iu kundërvunë ashpër pushtetit të ri kur filloi arrestimin dhe dorëzimin e njerëzve të tyre në Tribunalin e Hagës. Pikërisht atëherë u vra kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq, në mars të vitit 2003.
Para 5 Tetorit, në muajin shtator u shpallën zgjedhjet në të cilat Vojisllav Koshtunica mundi Millosheviqin, por Komisioni Zgjedhor nuk pranoi ta njohë rezultatin. Atëherë u ngrit i gjithë vendi – minatorët, fshatarët, studentët. Në të gjitha objektet u shfaqën ngjitëset me mbishkrimin “gotov je” (“ka mbaruar”). Atë ditë u dogj Kuvendi dhe ndërtesa e RTS-së në rrugën Takovska dhe u ndërpre programi i rregullt.
Gjatë demonstratave humbi jetën një vajzë dhe u plagosën 65 persona. Ky nuk ishte revolucion – ky ishte korrigjim i historisë.
Por euforia zgjati shkurt. Gjingjiqi u bë kryeministër, ndërsa Koshtunica president i RFJ-së. Nuk filloi mirë – ndodhën një sërë përplasjesh mes atyre që bashkë e rrëzuan Millosheviqin. Në vend që të dënoheshin të gjithë përgjegjësit dhe të miratohej Ligji për lustracionin, si dhe të shqyrtoheshin shkaqet dhe pasojat e viteve ’90, shumica u kënaq vetëm me rrëzimin e Millosheviqit.
Tani, 25 vjet më vonë, 5 Tetori shihet si datë kur Serbia u mashtrua, sepse asgjë në thelb nuk ndryshoi. Pyetja nuk është më kush e rrëzoi Millosheviqin, por pse shoqëria serbe është përsëri aty ku ishte. Sistemi që atëherë dukej i mundur, mbijetoi në formën e institucioneve dhe modeleve të pushtetit që zgjasin deri sot. Në vend që SRS (Partia Radikale Serbe), të ndalohej përgjithmonë, lindi parti-kriminele bija e saj – SNS, (Partia Progresive Serbe), dhe sot mbijetuan mafiozë të ndryshëm e diktatori Vuçiq, i cili, si ministër i Millosheviqit për informim, duhej të ishte lustruar ndër të parët. Po të ndodhte kjo, Serbia sot nuk do ta kishte këtë “përbindësh” për president.
Pikërisht për këtë, sot në Serbi ekzistojnë njësi të armatosura të Vuçiqit që financohen – siç tha deputetja Marinika Tepiq – me para nga droga. Dhe nuk i përmend ajo rastësisht kampet ruse. Aleksandar Vuçiq prej më shumë se një dekade sundon Serbinë me ndihmën e mafies. Dhe askund në botë nuk ekziston mafie që ka shtetin e vet.
Ky diktator i ngurtësuar është “muri i Berlinit i Ballkanit Perëndimor”, për shkak të qëndrimit dashamirës që gëzon nga disa autoritete evropiane. Ky regjim diktatorial i Vuçiqit është jashtëzakonisht i rrezikshëm për paqen në rajon. A është normale që 140 mercenarë nga Moldavia – siç thotë kryetari i DS, Srdjan Milivojeviq – të ndodhen në territorin e Serbisë për të shkaktuar trazira? Apo rasti i dy spiunëve kinezë të arrestuar, të cilët me kërkesë të SHBA-së u vendosën në arrest shtëpiak dhe pastaj u zhdukën në mënyrë të mistershme? Kush qëndron pas grupit të arrestuar në Serbi, që në Paris dhe Berlin vendoste koka derrash para objekteve islame dhe hidhte ngjyrë të gjelbër mbi sinagogat?
Pra, 5 Tetori në fakt e lansoi Vuçiqin – pak më vonë – në orbitën e politikës serbomadhe dhe si proksi rus. Pikërisht falë Vuçiqit, Serbia dhe Ballkani janë peng të politikave ekstremiste dhe nacionaliste, të cilat gjatë viteve ’90 zhytën në zi mijëra njerëz dhe gjithë rajonin, që ende nuk është shëruar.
Shumë befasues është edhe qëndrimi i studentëve ndaj 5 Tetorit. Heshtja e tyre, në vend që ata sot të ishin më të zhurmshmit dhe të organizonin protesta në rrugë. A mos vallë për ta ka rëndësi vetëm të mbrohen nga narrativa e Vuçiçit, që nuk janë pjesë e një revolucioni me ngjyra? Dhe askush nuk del të distancohet nga një psikopat i sëmurë, që mban peng 7–8 milionë njerëz.
Tolerimi i primitivizmit, nacionalizmit të pakontrolluar e të thellë dhe ksenofobisë. Të lejohet, zotërinj studentë, që 5 Tetori të rikthehet në një formë edhe më të keqe. A duhet që në vend të jush dhe qytetarëve të tjerë të dalë dikush tjetër për t’u përballur ose për të ndryshuar gjërat?
5 Tetori mbetet një ditë që e ndryshoi Serbinë, por ndoshta jo ashtu siç e kishin imagjinuar dhe dëshiruar shumica e prindërve tuaj. Nëse tani nuk bëni asgjë – turpi është i juaji dhe i gjithë qytetarëve të Serbisë.