Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në Samitin e Bërdo-Brijunit që po mbahet në Shqipëri, ku po marrin pjesë liderët e vendeve të rajonit për të diskutuar mbi bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj integrimit euro-atlantik, duke e cilësuar pjesëmarrjen në këtë samit si dëshmi të vendosmërisë së shtetit për të qenë pjesë e familjes evropiane dhe strukturave të sigurisë perëndimore.
“Samiti i Bërdo-Brijunit, sot në Shqipëri. Republika e Kosovës, në mesin e shteteve të rajonit, e palëkundur në përkushtimin për integrim euro-atlantik”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Samiti i Bërdo-Brijunit është një nismë rajonale që synon forcimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe koordinimin për çështjet e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon.