Ka dështuar seanca në shqyrtimin fillestar ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Të dy akuzohen për korrupsion, akuza këto të ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton Dukagjini.
Në seancë nuk u paraqitën as avokatët e tyre mbrojtës.
Sipas aktakuzës, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.
Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk kishte deklaruar shumën prej 60 mijë e 50 euro që iu sekuestruan në shtëpi.
Seanca është shtyrë për 20 tetor.