Erdogan për marrëveshjen Izrael-Hamas: Do vazhdojmë mbështetjen deri në krijimin e një shtet të pavarur palestinez

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, ka përshëndetur marrëveshjen e armëpushimit në Gaza midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

“Jam thellësisht i kënaqur që bisedimet Hamas-Izrael, të mbajtura në Sharm el-Sheikh, në të cilat kontribuoi edhe Turqia, kanë përfunduar me një armëpushim në Gaza”, tha Erdogan shkruan Anadolu, transmeton Dukagjini.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për presidentin e SHBA-së, Trump, i cili demonstroi vullnetin e nevojshëm politik për të inkurajuar qeverinë izraelite të pranojë një armëpushim dhe për vendet tona vëllazërore Katarin dhe Egjiptin për mbështetjen e tyre të rëndësishme në arritjen e marrëveshjes”, shtoi ai.

Erdogan theksoi se Ankaraja do të monitorojë nga afër zbatimin e rreptë të marrëveshjes së armëpushimit dhe do të vazhdojë të kontribuojë në proces.

Turqia, tha presidenti Erdogan, do të vazhdojë të shprehë mbështetje derisa “të krijohet një shtet i pavarur dhe sovran palestinez, me integritet të plotë territorial, mbi bazën e kufijve të vitit 1967, me kryeqytet Kudsin Lindor”.

“Me këtë rast, u shpreh përshëndetjet e mia më të përzemërta vëllezërve dhe motrave të mia palestineze, të cilët kanë duruar vuajtje të papërshkrueshme për dy vjet, duke luftuar për jetën dhe dinjitetin në kushte çnjerëzore, duke humbur fëmijët, nënat, baballarët, të afërmit dhe miqtë e tyre, dhe të cilët, pavarësisht të gjitha tragjedive që kanë duruar, nuk kanë kompromentuar qëndrimin e tyre të ndershëm”, tha Erdogan.

Plani 20-pikësh, i njoftuar për herë të parë më 29 shtator, përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë kthyer Gazën praktikisht në të pabanueshme, duke çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.