Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve me anë të një konferece duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale që u mbajtën ditën e djeshme në 38 komunat e vendit.
Kurti ka vlerësuar se zgjedhjet e djeshme kanë qenë shumë pozitive për partinë që drejton, njofton Dukagjini.
“Pjesa e parë e garës përfundoi mbrëmë, prej sot i përvishemi punës për balotazh, synimi ynë është i qartë që kandidatët tonë të fitojnë në këto komuna dhe të kthehet e të vazhdojë qeverisja e mirë”, u shpreh Kurti.
Kurti, u pyet nga gazetarët edhe për mundësinë e bashkëpunimit me ndonjë parti tjetër në komunat që shkojnë në balotazh. Ai nuk dha ndonjë përgjigje të prerë, por nënvizoi se partia do të bëjë një analizë të thelluar para vendimmarrjes.
“Fokusi i Vetëvendosjes është qytetari i Republikës, por natyrisht para balotazhit neve na nevojitet ta bëjmë një analizë gjithëpërfshirëse – edhe për rezultatin zgjedhor, por edhe për raportin e fushatës” tha ai.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka shkuar në të paktën 12 komuna në balotazh, ndërkohë ka fituar në 3 komuna qysh në raundin e parë.
Kurti, në këtë konferencë, ka folur edhe rreth çështjes së rezultatit të Exit Poll-eve për Komunën e Mitrovicës.
Në këtë rast, ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë ta hetojnë këtë rast.
“Çfarë ka ndodhur më 12 tetor duhet hetuar. Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë, për të njëjtën komunë dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fitues ende pa u mbyllur votues nuk janë thjesht një huqje. Kjo është cënim i demokracisë dhe integritetit e sigurisë. I ftoj organet e drejtësisë dhe sigurisë që të merren me këtë çështje”, deklaroi ndër të tjera ai.
Disa nga Exit Poll-et e bëra publika mbrëmë me mbylljen e vendvotimeve e vendosën kandidatin e PDK-së për Mitrovicën, Arian Tahirin, fitues pa balotazh në zgjedhjet lokale.
Megjithatë, bazuar në rezultatet preliminare, kjo komunë pritet të shkojë në balotazh.