Ka filluar seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Të tre të akuzuarit përballen me akuza për përfshirje në sulmin terrorist serb që ndodhi më 24 shtator të 2023-ës në fshatin Banjskë të Zveçanit e ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Nga përballja e Policisë së Kosovës me grupin e armatosur serb, i cili grup udhëhiqej nga kryeterroristi Millan Radojçiq, u lënduan edhe policë të tjerë të Kosovës.
Deri më tani kanë dhënë dëshmi disa zyrtarë policorë që ishin pjesëmarrës në kundërsulmin në Banjskë të Zveçanit si dhe kanë dhënë dëshmim edhe dëshmitar të mbrojtur.
Më 11 shtator të 2024-ës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas aktakuzës kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, pati dekalruar prokurori i rastit në konferencën për media të dhënë me 11 shtator të 2024-ës.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpërmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Banjska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.