Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton vdekjen e një gruaje shtetase të huaj, trupi i së cilës është gjetur të dielën në komunën e Shtërpcës.
“Është raportuar se është gjetur një trup i pajetë i një femre shtetase të huaj. Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë relevante dhe mjekësia ligjore”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila ka njoftuar se ka ndihmuar në nxjerrjen e trupit të viktimës nga terreni malor.
“Garda Kombëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas marrjes së informacioneve nga Qendra e Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka angazhuar togun e Kërkim Shpëtimit Malor në koordinim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet lokale, ku me sukses ka përfunduar misionin sfidues tërheqjen e trupit të pajetë të një personi, afër Liqenit të Jezhnicës – Shterpcë, trupi i pajetë është dorëzuar autoriteve për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.