Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila krahasoi PDK-në me Listën Serbe.
Musliu e ka quajtur këtë krahasim “të ulët, të rrezikshëm dhe thellësisht fyese për shtetin e Kosovës”.
“Ta krahasosh PDK-në me ata që mohojnë Republikën është turp dhe mashtrim politik. Kjo gjuhë e urrejtjes nuk është politikë, është dëshpërim. Ata që s’kanë rezultate, kërkojnë armiq për t’i fshehur dështimet e veta”, ka deklaruar Musliu.
Ajo theksoi se PDK mbetet “shtylla e shtetit të Kosovës”, duke kujtuar rolin historik të partisë në ndërtimin e vendit.
“PDK është dhe do të mbetet shtylla e shtetit të Kosovës. Populli e di mirë kush ka dhënë për këtë vend. Vetëvendosje dje mori atë që e mbolli”, shtoi ajo.
Deputetja e PDK-së kërkoi që debati politik të kthehet në ide dhe rezultate, jo në fyerje e akuza.
“Tani është koha për ide, jo për shpifje. Për punë, jo për propagandë. Për Kosovën, jo për pushtet”, theksoi Musliu.