Sadri Ramabaja, analist është përfshi në një debat të tensionuar në emisionin “Debat Plus”, ku goditi në mënyrë fyese deputetin e PDK-së, Përparim Gruda, duke aluduar në mënyrë nënçmuese për familjen e tij.
Pasi Gruda ishte shkëputur nga linja telefonike, Ramabaja u shpreh me fjalët:
“Veç duhet me na tregu ku i ka punu gjyshi këtij.”
Kjo deklaratë e tij shkaktoi reagim të menjëhershëm në studio, ndërsa moderatori Ermal Panduri ndërhyri për ta rikthyer Grudën në transmetim, në mënyrë që ai të kishte të drejtën e përgjigjes.
Deputeti Përparim Gruda reagoi me qetësi, por me tone të forta, duke i dhënë një përgjigje që e vuri Ramabajën në pozitë të vështirë përballë publikut:
“Unë kam pasur respekt për ty, por më bëre një goditje që s’e prita. Po të njoftoj – babai im është një nga të vrarët e luftës së fundit në Kosovë dhe ka qenë mik i Adem dhe Hamëz Jasharit, të cilët kanë qëndruar për ditë të tëra në shtëpinë time. Vëllai im, në moshën 21-vjeçare, ka qenë ushtar i UÇK-së”.
”Sa për gjyshin tim – ai ka vdekur para se të lindja unë dhe nuk ka punuar askund, sepse në atë kohë ka punuar vetëm në arat e Polacit. Ai që ti aludon nuk është gjyshi im. Gjyshi im e ka pasur emrin Bejtë Gruda, dhe vëllai im, që ka qenë ushtar, e mban me krenari emrin e tij. Nuk do të prisja kurrë që në Kosovën e 2025-ës, për të cilën familja ime ka dhënë gjak, të tentohej të turpërohej ajo sakrificë. Nuk nderon aspak, zoti Ramabaja”, u shpreh ai.
Më vonë Ramabaja ka kërkuar falje të mjegullt duke aluduar sërish në vëllain e gjyshit të tij.