Thellimi i dështimit të mbrojtjes së veprimeve agresive e joligjore të Rusisë kundër Ukrainës, fqinjëve të saj e më gjerë, është duke e bërë këtë vend të madh territorialisht (Rusinë) që ta humbë betejën e narrativave në Kosovë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë, duke kundërshtuar çfarëdo ndryshimi të tillë në Ukrainë.
Rusia, e cila nga studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të gjeopolitikës, është një fuqi që dobësohet nëse nuk zgjerohet vazhdimisht, duke mos mbetur as fuqi e dorës së tretë, gjë që e ka pranuar edhe vet Aleksandër Dugin, vazhdimisht ngelet te përpjekja që ta shfrytëzojë Kosovën si “precedent” për legjitimimin e veprimeve të saj agresore.
Mirëpo, ky territor i madh që quhet Rusi, po e humb betejën me Kosovën, për shkak të falsitetit të narrativës së saj.
Nga 1877 te 1999: Si u zgjerua Serbia me forcë dhe pse pretendimi i Zaharovës është fals
Maria Zaharova, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, në reagimin ndaj von der Leyen e përmend rastin e Kosovës, duke thënë se: “Ishte Perëndimi ai që deklaroi dhe zbatoi me forcë ripërcaktimin e njëanshëm të kufijve të Serbisë, në kundërshtim me vullnetin e popullit serb”.
Fatkeqësi e madhe për këtë territor të madh si Rusia të udhëhiqet nga njerëz të cilët tashmë mundohen edhe gënjeshtrën ta mashtrojnë.
Kosova nuk i është marrë më forcë askujt!
Që nga 1877 kur Kosova kishte 22.900 km2, është Serbia e përkrahur nga Rusia që është zgjeruar në dëm të trojeve shqiptare, duke pushtuar territore dhe shpërngulur e kryer gjenocid mbi shqiptarët. Territori i sotëm i Kosovës akoma strehon shumë shqiptarë nga rajonet e pushtuara si Nishi, ku hyjnë Toplica, Prokuplja, Kurshumlija, Leskovci, Vranja, pastaj Sanxhaku i Novi Pazarit, e deri tek pjesa ku është Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.
Ka qindra e mijëra dëshmi të botuara se si rajonin e Kosovës së sotme nga 1918 e ka kolonizuar Serbia dhe nga arkivat e Serbisë janë nxjerrë me emra, mbiemra dhe adresat në Kosovë ku janë vendosur kolonët serbë. Këtë mbledhje dhe publikim të dëshmive e ka bërë Millovan Obradoviç.
Në vitet ‘90 Kosova pësoi një terror të tmerrshëm nga Serbia, pas suprimimit të autonomisë, shqiptarëve iu mohua punësimi, shkollimi, shëndetësia, ndërsa dhuna sistematike, represioni e burgosjet, kulmuan me masakrat dhe gjenocidin gjatë viteve 1998-’99.
Kosova do të kishte pësuar një spastrim total etnik sipas operacionit “Patkoi” dhe një tragjedi akoma më të rëndë se sa Bosnja, po të mos ishte ndërhyrja humanitare e NATO-s që ta ndalonte dhunën e regjimit të egër të Sllobodan Millosheviqit.
Vetëm disa statistika: për dy vite ‘98-’99 u deportuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova, u vranë dhe masakruan rreth 13-14 mijë civilë, u dhunuan më shumë se 19 mijë gra dhe vajza, u zhdukën mijëra trupa, prej të cilëve ende për rreth 1600 Serbia nuk tregon se ku i ka fshehur.
Pas luftës, në misionin paçebërës me NATO-n ka pasur edhe forca nga Rusia, nëpërmjet të cilave ajo provokoi hapur riballafaqimin me perëndimin.
Pse argumenti rus për Kosovën dështon juridikisht, politikisht dhe strategjikisht
Pavarësisht çfarë thotë Zaharova e Rusia, secili njeri i pandikuar nga propaganda e pranon publikisht (pasi në mendje e di të vërtetën secili) se NATO nuk ka bërë agresion ndaj Serbisë. Përkundrazi, ajo e ka ndalur gjenocidin dhe madje e ka shpëtuar edhe vetë Serbinë nga kthetrat e njerëzve si Millosheviçi. Përkundrazi, është Rusia ajo që po e rikthen Serbinë te njerëzit e Millosheviqit, duke sponsorizuar proxy shtete dhe politikanë si Aleksander Vuçiq e Aleksander Vulini.
Për më tepër, nuk duhet harruar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte Serbia, me ndihmën e Rusisë, që kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. GJND-ja e dha gjykimin e saj dhe tani hipokrizia mbetet te Rusia dhe Serbia që nuk e pranojnë “përgjigjen” e pyetjes së tyre. GJND-ja konfirmoi se Kosova nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë. Rusia dhe Serbia e kërkuan mendimin e saj, por athua s’do t’i bindeshin e do ta kundërshtonin edhe nëse gjykimi i GJND-së do të thoshte se Kosova e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare?
Zaharova e sulmon von der Leyen, sepse dëshiron që në pazaret për paqen në Ukrainë të përfitojë sa më shumë duke e shfrytëzuar Kosovën si “precedencë”. Mirëpo, ky është një krahasim artificial dhe madje mashtrim për popullin serb, të cilit Rusia dhe regjimi i Vuçiqit ia ka errësuar edhe më shumë shikimin.
Duke e përmendur Kosovën si precedent, Rusia e ka syrin te pazaret kundër Ukrainës. Megjithatë, ajo duket se ka ngecur në grackën e narrativës kundër Kosovës dhe po e humb betejën me të drejtën.
………….
Autor: Dr. Gurakuç Kuçi – Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride dhe profesor në Kolegjin UNI