Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare ka nisur në të gjithë territorin e Kosovës, me disa parregullsi të vogla, por pa incidente serioze.
Sipas komunikatës së parë për media, të publikuar në orën 08:30, DnV po e monitoron procesin zgjedhor me 500 vëzhgues statikë të angazhuar në 500 vendvotime, të përzgjedhura mbi bazë të një mostre përfaqësuese. Vëzhgimi përfshin të gjitha fazat e procesit, nga hapja e vendvotimeve deri te numërimi i votave, me fokus të veçantë në respektimin e procedurave, fshehtësinë e votës dhe qasjen e barabartë për të gjithë votuesit.
Në nivel vendi, janë gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave rreth 3% janë hapur me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve, me theks të veçantë në rajonin e Pejës. Aranzhimi i vendvotimeve është kryesisht në përputhje me rregullat e KQZ-së, ndonëse në 2% të tyre janë evidentuar probleme me vendosjen e kabinave të votimit ose kamerave, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.
DnV ka raportuar gjithashtu probleme të vazhdueshme me qasjen për personat me aftësi të kufizuara, pasi 16% e Qendrave të Votimit nuk kanë infrastrukturë të përshtatshme. Po ashtu, në 3% të qendrave janë vërejtur materiale propaganduese brenda perimetrit të ndaluar prej 100 metrash. Policia është e pranishme dhe po siguron procesin në 85% të vendvotimeve.

Sa i përket informimit të votuesve, DnV thekson se në 8% të Qendrave të Votimit mungojnë udhëzimet për mënyrën e votimit, ndërsa në 18% nuk ka tavolina ndihmëse, problem ky më i theksuar në rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës. Në këto zgjedhje, qytetarët kanë të drejtë të votojnë deri në 10 kandidatë, në bazë të ndryshimeve ligjore të vitit 2023.
Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve mbetet e ulët. Sipas DnV-së, në rreth 75% të vendvotimeve ka komisionere gra, por zakonisht jo më shumë se dy anëtare.
Gjatë hapjes së vendvotimeve nuk janë raportuar incidente serioze, megjithatë në dy vendvotime procesi ka nisur me vonesë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
DnV ka bërë të ditur se gjatë ditës do të vazhdojë informimin e publikut përmes konferencave për media dhe rrjeteve sociale. Për këto zgjedhje, koalicioni po aplikon metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (PVT), e cila do të shërbejë për vlerësimin statistikor të procesit të votimit dhe numërimit në nivel vendi.