Drejtori i bordit të Instituti për Studime të Luftës Hibride Octopus, Agim Musliu, ka akuzuar Listë Serbe për shkelje të hapur të Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 gjatë ditës së votimit në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat tjera me shumicë serbe.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka shkruar se Lista Serbe, pas një fushate agresive kundër subjekteve të tjera politike serbe, po vazhdon veprimtarinë e saj edhe gjatë heshtjes zgjedhore, duke ftuar simpatizantët të grumbullohen para zyrave të saj, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjin.
Ai ka cituar nenin 8 të Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024, i cili ndalon mbajtjen e takimeve, grumbullimin e zyrtarëve apo aktivitete të tjera politike nga hapja deri në mbylljen e qendrave të votimit, veçanërisht në afërsi të tyre.
Sipas Musliut, këto veprime përbëjnë shkelje serioze të rregullave zgjedhore dhe kërkojnë reagim institucional.
Ai ka bërë thirrje që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ), Prokuroria dhe Policia e Kosovës të ndërmarrin masa ligjore ndaj kësaj partie.
Musliu ka rikujtuar se gjatë fushatës zgjedhore, Lista Serbe është dënuar me 30 mijë euro pas një ankese të paraqitur nga një subjekt tjetër politik serb në veri të Kosovës, për shkelje të legjislacionit zgjedhor.
Lista Serbe përsërit votimin e organizuar, qytetarët sillen në grupe në qendrat e votimit