17 Shkurti si simbolikë dhe mesazh: Protesta për çlirimtarët në Hagë

Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar organizimin e një proteste më 17 shkurt, në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me moton “Drejtësi, jo politikë”.

Organizatorët kanë theksuar se protesta synon të mbrojë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, duke folur në emisionin FIVE në TV Dukagjini, theksuan se data e protestës është zgjedhur me qëllim simbolik, pasi përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ismail Tasholli deklaroi se organizatorët e kanë konsideruar 17 shkurtin si datë me peshë historike dhe emocionale për qytetarët e Kosovës.

“Më 17 shkurt në ora 14:00, është në sheshin ‘Skënderbeu’. Edhe e kemi lënë edhe si datë simbolike dhe si mesazh në vetvete. Se pesha e asaj date cila është dhe ata njerëz që janë atje janë protagonistë kryesor të rrugëtimit drejt konkretizimit të shtetësisë tonë…”, ka thënë Tasholli.

Ndërkaq, Eliza Hoxha ka theksuar se protesta synon të artikulojë kërkesën qytetare për drejtësi të drejtë dhe të paanshme në procesin gjyqësor në Hagë, për të cilin ajo ka shprehur shqetësime për mënyrën e zhvillimit të tij.

“Janë dy çështje, e para; aspekti i manifestimit të kërkesës sonë edhe nevojës pr të kërkuar drejtësi në një proces, i  cili ka shumë anomali, paqartësi e anshmëri. Dhe duke i pas duart e lidhura shteti i Kosovës, duke mos pas llogaridhënie as nga (kryetarja e Speciales) Trendafilova, as mediat e as organizatat e shoqërisë civile, nuk kanë pas të bëjnë një pyetje të vetme. Dhe nuk kanë pas qasje për më shume informacion se çfarë po ndodh realisht atje…

Tani rikthemi me një marrsh në ditën e pavarësisë, me ritheksimin e kërkesës sonë për epilog të drejtë dhe fer. Duke parë se çfarë ka ndodhur në këto vite dhe në të njëjtën kohë paralelisht me këtë kërkesë duke e përçuar një copë dashni, respekt dhe mirëbesim dhe dashamirësi për të iu thënë atyre njerëzve atje se nuk janë vetëm, por edhe për t’i mirëpritur në ditën e tyre…”, ka thënë Hoxha.

Të fundit nga rubrika