Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për dënime prej 45 vjetësh burg për ish-krerët e UÇK-së.
Manja vlerëson se kjo kërkesë përbën shumë më tepër sesa një akt procedural, duke e cilësuar atë si një moment prove për vetë drejtësinë ndërkombëtare, në aspektin juridik, historik dhe moral.
Sipas tij, është fakt i njohur dhe i dokumentuar ndërkombëtarisht se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe mbrojtëse, ndërsa Serbia ishte agresori përgjegjës për krime kundër njerëzimit, spastrim etnik dhe deportime masive. Manja thekson se përpjekja për të vendosur komandantët e UÇK-së në të njëjtin plan juridik me arkitektët e një politike shtetërore kriminale përbën një absurditet juridik.
Ai nënvizon se krimet kundër njerëzimit, sipas përkufizimit juridik, lidhen me veprime të përhapura ose sistematike të pushtetit shtetëror, ndërsa UÇK-ja nuk ishte shtet apo aparat represiv, por një rezistencë çlirimtare. Sipas Manjës, fshirja e këtij dallimi themelor rrezikon ta shndërrojë drejtësinë në instrument të relativizimit politik.
Në reagimin e tij, Manja paralajmëron se dënimi i komandantëve të UÇK-së do të krijonte perceptimin e një drejtësie që ndëshkon viktimën për faktin se mbijetoi, duke dërguar një mesazh të rrezikshëm për botën se luftërat çlirimtare janë të dënueshme, ndërsa agresioni shtetëror relativizohet.
Në fund, ai thekson se në këtë proces nuk është në provë UÇK-ja apo ish-krerët e saj, por vetë drejtësia ndërkombëtare dhe besueshmëria e saj, duke shtuar se vetëm pafajësia e komandantëve të UÇK-së mund të ruajë koherencën juridike, dinjitetin moral dhe të vërtetën historike.
Dënimi i komandantëve të UÇK-së do të ishte dënim i drejtësisë ndërkombëtare