Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para se ta paraqesë në Kuvend ekspozenë e planprogramit për formimin e Qeverisë së Kosovës ka folur edhe për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ai në foltore ka theksuar se seancat parlamentare po mbahen në orët e pasdites për shkak se këto ditë po zhvillohen seancat e fundit të këtij procesi gjyqësor.
“Këto dy seanca po i mbajmë pasdite, pasi këto ditë po zhvillohen seancat e fundit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Kërkesa e prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burg për secilin, me pretendime për krime kundër njerëzimit, është një orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik dhe politik të luftës sonë çlirimtare”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, qëndrimi i Qeverisë që ai drejton është i qartë.
“Në Kosovë janë kryer krime ndaj popullatës civile shqiptare dhe ato i ka kryer regjimi i Millosheviqit. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm, është shtrembërim faktik dhe historik dhe për familjet e viktimave është i padurueshëm, përveçse i papranueshëm”, ka theksuar Kurti.