Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vendosur të mos marrë pjesë në Konferencën e 62-të të Sigurisë në Munih, e cila do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt.
Sipas Bekim Kupinës, këshilltar për media në Zyrën e Presidencës, anulimi i pjesëmarrjes lidhet me angazhimet institucionale dhe prioritetet që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda vendit.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar edhe sivjet në Konferencën e Sigurisë në Munich, për çka është shumë mirënjohëse ndaj organizatorëve. Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, e ka anuluar pjesëmarrjen”, ka deklaruar ai për Dukagjinin.
Në Konferencë pritet të përfaqësohet Kosova nga kryeministri Albin Kurti dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.
Pjesëmarrës të tjerë të njohur do të jenë edhe kryediplomati amerikan Marco Rubio, i cili do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë, si dhe përfaqësues nga Serbia, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kryediplomatin Marko Gjuriq dhe disa ministra të tjerë.
Temë kryesore e konferencës pritet të jetë lufta e Rusisë në Ukrainë, që në fund të shkurtit shënon pesë vjet, si dhe tensionet që lidhen me Iranin.