Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen solemne të Qeverisë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, ka deklaruar se kjo ditë është moment feste, por edhe reflektimi për rrugëtimin e shtetit.
Ai ka thënë se më 17 shkurt kujtohet akti historik i shpalljes së Pavarësisë së vitit 2008, qëndresa dhe sakrifica e popullit, si dhe nderohen heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, nga rezistenca paqësore deri te kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat kulmuan me luftën e UÇK-së.
“Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet, moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në kuptimin tonë të gjatë si popull”, u shpreh Kurti.
Kryeministri ka theksuar se gjatë këtyre 18 viteve Kosova ka arritur shumë, nga njohjet ndërkombëtare dhe konsolidimi i institucioneve demokratike e sundimit të ligjit, deri te ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse.
Megjithatë, ai ka shtuar se në këtë ditë feste nuk mund të harrohet fakti që përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë, sot po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Në këtë ditë feste dhe reflektimi nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë sonë sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, ka deklaruar Kurti.