“Mbi 130 mijë qytetarë në marshin ‘Drejtësi, jo politikë'”

Platforma “Liria Ka Emër” ka njoftuar se mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë sot në marshin “Drejtësi, jo politikë”, duke e bërë atë marshimin më të madh në historinë e Kosovës së lirë.

Sipas organizatorëve, sheshi dhe rrugët kryesore të Prishtinës u stërmbushën nga qytetarë nga të gjitha komunat e vendit, diaspora dhe rajoni, ndërsa edhe përkundër kushteve atmosferike dhe fluksit të jashtëzakonshëm të trafikut.

“Fatkeqësisht, me mijëra qytetarë të tjerë mbetën të bllokuar në trafik, në hyrje dhe dalje të ndryshme të kryeqytetit, gjatë ardhjes në Prishtinë. Fluksi i jashtëzakonshëm i pjesëmarrësve dëshmon për përmasat reale të kësaj mobilizimi mbarëkombëtar.

Edhe përkundër kushteve jo të favorshme atmosferike, zëri i popullit nuk u ndal. As shiu, as vështirësitë logjistike nuk e zbehën vendosmërinë për të kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.

Platforma Qytetare “Liria Ka Emër” shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për secilin qytetar, për çdo familje, për të rinjtë, për mërgatën dhe për të gjithë ata që kontribuuan në këtë mobilizim historik.

Ky marsh dëshmoi qartë: kur populli flet, ai flet me dinjitet, me përgjegjësi dhe me zë të fuqishëm.

Drejtësi, jo politikë.

Liri për çlirimtarët”, thuhet në njoftim.

Të fundit nga rubrika