Ylber Hysa, ish-ambasadori i Kosovës, në një intervistë në “FIVE” në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me situatën politike të krijuar në vend.
Ai ka thënë se në kohën kur po jetojmë në një dimension shumë real gjeopolitik, në një botë shumë të trazuar, dikush që fiton me besim të lartë qytetar pritej t’i rikthehej vendit me zhvillim dhe stabilitet, gjë që sipas tij nuk po ndodh.
“Në mënyrë serioze e pakuptimëson garën. Krejt kjo e sjell në pikëpyetje kredon politike të dikujt që sërish ta thërrasë votuesin ta besojë programin e tij, që ai është serioz në këtë ofertë politike, përveç nëse ka ndonjë skenar tjetër në prapavijë për të cilin nuk dua të besoj. Është zhbërës në kuptimin e të gjithë asaj trashëgimie politike që Kosova me shumë mund e ka arritur në vitet e ’90-ta dhe sidomos pas vitit 1999 dhe pas pavarësisë, e kjo është ndërtimi i institucioneve”.
“Krejt kjo lojë politike në mënyrë direkte është duke e atakuar besimin në këtë trashëgimi politike, besimin në institucionet e Kosovës, në demokracinë parlamentare dhe në një institucion shumë të rëndësishëm si Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.