Filozofi Jürgen Habermas ishte një nga mendjet më të ndritura të mendimit filozofik dhe politik në Evropën bashkëkohore dhe jo vetëm. Ai ishte një mendimtar që riaktualizoi projektin kritik të Iluminizmit përmes ndërhyrjeve në debatet publike të kohës së tij. Vdekja e tij dje, s’do mend se lë një zbrazëti të madhe në mendimin filozofik botërorë.
Opusi i tij kryesor filozofik, The Theory of Communicative Action (Teoria e Veprimit Komunikativ), përbën një nga momentet më të rëndësishme të teorisë sociale bashkëkohore. Në këtë vepër ai ka zhvilluar konceptin e racionalitetit komunikativ si kundërvënie ndaj dominimit të racionalitetit instrumental në sistemet burokratike dhe ekonomike të modernitetit.
Nga perspektiva filozofike, Habermasi na kujton se shoqëria demokratike nuk mund të mbështetet vetëm mbi mekanizma të pushtetit apo mbi logjikën e sistemit ekonomik, ajo duhet të mbështetet mbi atë që ai e quante sfera publike deliberative, një hapësirë ku qytetarët angazhohen në diskurs racional për të prodhuar legjitimitet politik. Kjo është arsyeja pse demokracia për Habermasin nuk ishte vetëm procedurë institucionale, por para së gjithash një proces diskursiv i formimit të vullnetit kolektiv.
Në rrafshin politik, Habermasi ishte një nga mbrojtësit më të fuqishëm të projektit evropian. Evropa për të nuk ishte thjesht një bashkim ekonomik apo institucional, por një projekt normativ post-nacional, i ndërtuar mbi vlera universale sikurse që është demokracia, të drejtat e njeriut dhe solidariteti transnacional. Ai shpesh kritikoi atë që e quante deficit demokratik të BE-së, duke argumentuar se integrimi evropian duhet të shoqërohet me një sferë publike evropiane dhe me një formë të re të sovranitetit të përbashkët qytetar. Aktualiteti i teorisë së tij qëndron në tezën se demokracia është para së gjithash një proces komunikativ i legjitimitetit politik.
Sidoqoftë, filozofia e tij nuk mbeti e margjinalizuar në abstraksione teorike. Habermasi ishte një nga intelektualët evropianë që mori qëndrim mjaftë të qartë në momentet kritike të historisë së shqiptaëve dhe vet kontinentit të vjetër. Ky moment ishte ndërhyrja e NATO-s më 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ndryshe nga një pjesë e së majtës evropiane që e kundërshtoi fuqishëm ndërhyrjen, Habermasi e konsideroi ndërhyrjen të legjitimuar nga etika universale e të drejtave të njeriut, duke argumentuar se në situata ekstreme komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi të ndërhyjë për të mbrojtur popullsitë civile nga krimet sistematike. Për të, kjo nuk ishte një thyerje e së drejtës ndërkombëtare, por një hap drejt transformimit të saj në drejtim të një rendi juridik kozmopolit.
Nga prizmi filozofik, qëndrimi i Habermasit për Kosovën nuk duhet parë vetëm si një pozicion politik i momentit, por si pjesë e konstruktit të tij teorike mbi të drejtat universale dhe mbi përgjegjësinë morale të komunitetit ndërkombëtar. Kosova u shndërrua në një nga rastet ku u testua ideja e tij për një rend ndërkombëtar të bazuar në normativitet dhe jo vetëm në sovranitet shtetëror. Habermasi pra, na kujton se për një filozof që kishte kaluar jetën duke reflektuar mbi krimet e nazizmit dhe mbi përgjegjësinë historike të kontinentit të vjetër, indiferenca ndaj spastrimit etnik në Ballkan nuk ishte një opsion moral.
Për këtë shkak, kujtesa për Habermasin nuk është vetëm një çështje e filozofëve të Kosovës, por edhe përtej deri tek vendimmarrësit. Për Kosovën, ai përfaqëson një nga intelektualët e mëdhenj evropianë që artikuloi një argument moral dhe filozofik në mbështetje të ndërhyrjes që ndaloi regjimin gjakatar serb të Millosheviqit. Në një kohë kur politika shpesh dominohet nga kalkulime të ngushta politiko-strategjike, Habermasi na kujton se politika duhet të mbështetet mbi arsyen publike dhe mbi parimet universale të drejtësisë.
Prandaj, nëse Kosova si aspirante që të jetë në të ardhmën e afërt pjesë e hapësirës politike dhe kulturore evropiane, duhet të reflektojë edhe në nivel simbolik mbi figurat që kanë kontribuar në këtë horizont normativ. Pikërisht këtu qëndron një dimension i rëndësishëm i kujtesës historike dhe kjo është arsyeja pse Kosova duhet ta nderojë këtë mendimtar.
Një rrugë (së paku), shesh apo hapësirë e vlefshme publike me emrin e Jürgen Habermasit në Prishtinë do të ishte jo vetëm një akt mirënjohjeje historike, por edhe një deklaratë filozofiko-politike për orientimin evropian të Kosovës. Për shkak se Habermasi nuk ishte vetëm një filozof gjerman, ai ishte një nga shtyllat intelektuale të Evropës demokratike. Edhe për shumë gjenerata të studentëve të Kosovës të filozofisë, sociologjisë e shkencave politike Habermas mbetet ndër mendimtarët e veçantë që i ka brymosur me toeoritë e tij.
Në fund të fundit, ajo që mbetet nga Habermasi është teza themelore që shoqëritë demokratike mund të mbijetojnë vetëm nëse qytetarët e tyre besojnë në fuqinë e arsyes dhe të dialogut. Në një kohë kur e vërteta shpesh zëvendësohet nga propaganda, kjo ide mbetet ndoshta më aktuale se kurrë. Pikërisht këtu qëndron aktualiteti i Habermasit. Filozofia e Habermasit nuk përfundon me vdekjen e tij, ajo vazhdon të jetojë në çdo përpjekje për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në diskurs, racionalitet dhe drejtësi.
__
Ridvan Emini është Kryetar i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës