Ambasadori Berisha në Zagreb pret Kryetarin e Grupit të Miqësisë në Parlamentin e Kroacisë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci ka pritur në një vizitë zyrtare Kryetarin e Grupit të Miqësisë në Parlamentin e Republikës së Kroacisë, dr. Mislav Herman.

Mysafiri u prit nga ambasadori Martin Berishaj, dhe këshilltari Mentor Tahiri, me të cilët zhvilloi një takim ku u diskutuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Gjatë takimit, u vlerësua niveli i lartë i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional ndërmjet dy vendeve, si dhe mbështetja e vazhdueshme që Kroacia i jep Kosovës në proceset e saj integruese euroatlantike. Po ashtu, u theksua rëndësia e diplomacisë parlamentare në forcimin e mëtejmë të lidhjeve dypalëshe.

Ambasadori Berishaj shprehu mirënjohje për angazhimin e Grupit të Miqësisë dhe për përkushtimin personal të dr. Herman në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, duke nënvizuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, dr. Herman rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Kroacisë për Kosovën dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe zhvillimin e iniciativave të reja në funksion të forcimit të marrëdhënieve bilaterale.

Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë miqësore dhe konstruktive, duke reflektuar partneritetin e qëndrueshëm dhe orientimin e përbashkët evropian të dy vendeve.