Qeveria mban mbledhje, merr disa vendime

Qeveria e Kosovës

Qeveria në detyrë ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë një sërë vendimesh me fokus në çështje buxhetore, shëndetësore dhe institucionale.

Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar Raportin Tremujor të Buxhetit për vitin 2026, si dhe ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave për ndryshimin dhe plotësimin e një vendimi të mëhershëm që lidhet me bartjen e shpenzimeve buxhetore nga ministritë ekzistuese në ministritë e reja të krijuara.

Po ashtu, Qeveria ka ndarë mjete në vlerë prej 45 mijë euro për pjesëmarrje në Forumin Ekonomik të Vjenës, me qëllim promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në fushën e shëndetësisë, është miratuar kërkesa për pagesën e 52 specializantëve lehona, përmes subvencioneve dhe transfereve, në vlerë prej mbi 475 mijë eurosh, për periudhën nga nëntori 2025 deri në fund të vitit 2026.

Qeveria ka miratuar gjithashtu vendimin për emërimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, si dhe ka formuar një Grup Koordinues për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.

Në kuadër të vendimeve institucionale, është vendosur edhe vazhdimi i mandatit për Sekretarinë dhe Komisionin Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë, për një periudhë dyvjeçare.