Rreth 20 mijë maturantë, me 20 qershor do t’i nënshtrohen vlerësimit shtetërorë.
Ministria e Arsimit si rëndom, edhe këtë herë ka vendosur që numri maksimal i nxënësve brenda një klase të jetë 15-të.
Këtë radhë, në qendër të testimit, përpos tre anëtarëve të komisionit që janë të përcaktuar me ligj, për mbikëqyrje janë shtuar edhe dy administrues.
Fatmir Elezi nga divizionit për Vlerësim i Ministrisë së Arsimit, tha se testi është në fazën finale, dhe forma e tij mbetet e njëjtë me atë të vitit të kaluar.
“Aplikimin nxënësit e bëjnë online, diku ka 1 qershori do të fillojë aplikimi, dhe shpërndarja e nxënësve bëhet në mënyrë automatike. Maksimum në një klasë do të jenë 15 nxënës”, ka thënë Fatmir Elezi, divizioni për Vlerësim në MAShT.
Shpesh pyetjet e testit të maturës kanë rrjedhur nëpër rrjete sociale, apo edhe forma të tjera.
Këtë herë nga MAShT thonë se kanë marrë masat e duhura për shmangien e kësaj problematike.
“E kemi saktësu që telefonat nuk janë fare të lejuar në qendrën e testimit. Ka pas raste që administrator e ka lënë tek dritarja, po tash s’lejohet fare në klasë”, ka thënë Fatmir Elezi, divizioni për Vlerësim në MAShT.
Kjo sipas ish-zv.ministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci është vështirë e menaxhueshme në rast se nuk shqiptohen dënime.
“Kopjimi ka me qenë i evitueshëm nëse ndërmerren masa me vendosmëri ndaj shkelësve. Nëse përsëri kalon si vitet e kaluara, atëherë me siguri do të ketë kopjim edhe këtë vit edhe të tjerat”, ka thënë Dukagjin Popovci, ish-zv/ministër i Arsimit.
Popovci i konsideron disa opsione që do të mund ta evitojnë kopjimin brenda klasave.
“Të mos jenë nxënësit e klasës së njëjtë, që njihen me njëri-tjetrin. Zakonisht kur fëmijët nuk njihen mes vete, bashkëpunimi është më i pakët. Duhet të merren masa që të mos kenë ndihmë nga jashtë”, ka thënë Dukagjin Popovci, ish-zv/ministër i Arsimit.
Rezultatet për afatin e parë të testit të maturës do të publikohen më 29 qershor.
Ndërkohë afati i dytë për mbajtjen e testit është data 29 gusht.