Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës në komunën e Kamenicës ka çuar në konfiskimin e një sasie të konsiderueshme dokumentacioni dhe pajisjesh që dyshohet se përdoreshin nga strukturat paralele serbe, si dhe në arrestimin e dy personave të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme.
Sipas raportit 24-orësh të Policisisë, të arrestuarit janë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb N. V. (46) dhe D. K. (44), ndaj të cilëve janë iniciuar procedura penale për veprat “Asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjatë bastisjeve në disa lokacione, përfshirë banesa, lokale dhe objektin e shkollës “Bratsvo” në fshatin Strezoc, hetuesit kanë sekuestruar dokumente dhe materiale që dyshohet se lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e sistemit paralel serb në Kosovë.
Në mesin e provave të konfiskuara janë një vulë me stemën e Republikës së Serbisë, dokumentacion për punësime dhe administrim në kuadër të strukturave paralele, dokumente me të dhëna që lidhen me subjektin politik Lista Serbe, gjashtë laptopë, katër njësi kompjuterike, një USB dhe një telefon mobil.
“MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL APO POSEDIM I PA AUTORIZUAR I ARMËS /ASGJËSIM APO FSHEHJA E MATERIALIT ARKIVOR Kamenicë / Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se kanë kryer veprat e lartcekura. Gjatë bastisjes në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë, 19.440 €, 91.500 dinarë, 200 dollarë, 1300 franga, vula me stemë të shtetit të serbisë, 6 lap top, 4 shtëpiza të kompjuterit, një telefon si dhe dosje me dokumentacione si kontrata të punëtorëve nga sistemi paralel serb, dhe dokumente të tjera. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.