Një armë zjarri dhe një karikator me dy fishekë është sekuestruar nga Policia e Kosovës pas raportimeve se në një vilë në fshatin Jezerc në Ferizaj janë dëgjuar disa të shtëna.
Policia pas kontrollit te një i dyshuar dhe pas gjetjes së armës e karikatorëve, ai e ka pranuar se ka shtënë dy herë.
“Njësia e Hetimeve, së bashku me Njësinë Reaguese, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka kontaktuar pronarin e vilës dhe personat e pranishëm. Gjatë kontrollit, te i dyshuari B.O (30 vjeç) është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri (pistoletë), me një karikator që përmbante tre fishekë, si dhe dy gëzhoja. I dyshuari ka pranuar se kishte shtënë dy herë me armën e zjarrit, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe gëzhojat”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”dhe është liruar në procedurë të rregullt hetimore.