Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes Panelit Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ka nisur intervistimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke hyrë në një nga fazat kyçe të procesit të përzgjedhjes së drejtuesit më të lartë të sistemit prokurorial në vend.
Paneli Vlerësues, i kryesuar nga Arian Gashi dhe i përbërë nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati, më herët kishte hartuar pyetjet standarde të intervistimit, tre orë para nisjes së procesit, në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës, barazisë dhe besueshmërisë së procedurës.
Gjatë ditës së sotme do të intervistohen pesë kandidatët që janë në garë për këtë pozitë: Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; Naim Abazi dhe Rafet Halimi, prokurorë në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale; Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit; si dhe Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas KPK-së, të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen të njëjtave standarde të vlerësimit profesional, në përputhje me kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore.
Procesi i intervistimit po monitorohet nga përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian, OSBE-së në Kosovë, EULEX-it, EU4FAST-WB-së, Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betimi për Drejtësi, BIRN-it, Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), AVONET-it, KDI-së dhe Lëvizjes FOL.
Pas përfundimit të intervistave, Paneli Vlerësues do të vazhdojë me fazën e vlerësimit të kandidatëve, përpara se t’ia paraqesë Këshillit Prokurorial propozimin për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, në përputhje me procedurat ligjore.
KPK përgatit pyetjet, sot intervistohen kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit