Një person ka mbetur i lënduar në këmbë pasi, sipas dyshimeve, i ka shkrepur aksidentalisht pushka ajrore në zonën e Bjeshkës së Roshkodolit, në komunën e Deçanit.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 3 korrik, rreth orës 23:00, pasi i dyshuari kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Deçan.
“Është raportuar se i dyshuari kishte kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Deçan për shkak të lëndimit në këmbë të shkaktuar nga arma. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari, i cili ka deklaruar se derisa kishte qenë në vendin e quajtur Bjeshka e Roshkodolit, nga pakujdesia i ka shkrepur pushka ajrore dhe i ka shkaktuar lëndim në gishtin e këmbës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia bëri të ditur se nga i dyshuari është konfiskuar një pushkë ajrore.
“Nga i dyshuari është konfiskuar një pushkë ajrore. Në konsultim me prokurorin është iniciuar lënda e rastit, e cila procedohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia.