Limitet e diplomacisë evropiane në dialogun Kosovë-Serbi

Që nga fillimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2011, pritjet ishin që procesi të shndërrohej në mekanizmin kryesor për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për konsolidimin e paqes në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, pas më shumë se 15 vitesh përpjekje, dialogu ka prodhuar disa marrëveshje, por shumë pak rezultate konkrete në terren. Kjo tregon limitet e diplomacisë evropiane si ndërmjetësuese dhe njëkohësisht ekspozon strategjinë e Serbisë për ta përdorur dialogun jo si instrument normalizimi, por si mekanizëm për të ruajtur status quo-në dhe për të penguar konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Pafuqia e “diplomacisë neutrale”

Që nga fillimi i procesit të integrimit evropian, Bashkimi Evropian ka synuar të paraqitet si një aktor global i paqes, stabilitetit dhe zgjidhjes së konflikteve. Megjithatë, historia e Ballkanit Perëndimor ka nxjerrë në pah kufizime serioze të kapaciteteve diplomatike të BE-së. Dialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, përbën një nga shembujt më të qartë të sfidave dhe dështimeve të diplomacisë evropiane për të prodhuar marrëveshje të qëndrueshme politike.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, Bashkimi Evropian shpesh përshkruhet si një aktor që e projekton ndikimin kryesisht përmes fuqisë normative dhe jo përmes instrumenteve tradicionale ushtarake. Sipas Ian Manners, identiteti ndërkombëtar i BE-së mbështetet në aftësinë për të promovuar dhe përhapur norma universale, si demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe multilateralizmi, duke ndikuar në sjelljen e aktorëve të tjerë përmes legjitimitetit normativ dhe jo përmes imponimit me mjete ushtarake apo detyruese. (Manners, 2002:243).

Në mënyrë të ngjashme, François Duchêne e përshkruante Komunitetin Evropian si një “fuqi civile”, e cila mbështetet në diplomaci, integrim ekonomik dhe instrumente politike, në vend të forcës ushtarake (Duchêne, 1972). Këtë koncept më tutje e zhvillon Jan Orbie (2006), duke e konsideruar ”fuqinë civile” si një element qendror të identitetit ndërkombëtar, e cila e dallon atë nga aktorët tradicionalë shtetërorë që mbështeten kryesisht në instrumentet ushtarake dhe të imponimit (Orbie, 2006:124-125).

Megjithatë, sipas Niklas Helwig, aftësia dhe kapacitetet e BE-së për të imponuar këto norma në skenën ndërkombëtare janë vënë shpesh në pikëpyetje për shkak të mungesës së konsensusit politik mes shteteve anëtare, përfshirë kufizimet institucionale që kanë reduktuar ndjeshëm aftësinë e BE-së për rezultate konkrete në arenën ndërkombëtare (Helwig, 2023:59-60). Sipas Nathalie Tocci (2021), ambicia e BE-së për të vepruar si aktor gjeopolitik shpesh përballet me kufizime strukturore që burojnë nga mungesa e unitetit strategjik mes vendeve anëtare dhe nga varësia e vazhdueshme ndaj partnerëve transatlantikë në çështjet e sigurisë (Tocci, 2021:9-10).

Në të njëjtën linjë argumentimi, edhe Sven Biscop (2021) argumenton se sfidat e sigurisë në fqinjësinë evropiane kanë nxjerrë në pah hendekun ndërmjet aspiratave politike të Bashkimit Evropian dhe aftësisë së tij për t’i realizuar ato në mënyrë autonome (Biscop, 2021:3). Këto debate lidhen ngushtë me konceptin e “hendekut mes pritshmërive dhe kapaciteteve”, tezë kjo e formuluar fillimisht nga Christopher Hill (1993), ku argumenton se BE-së i mungojnë kapacitetet reale politike dhe institucionale për të vepruar në mënyrë efektive si aktor global (Hill, 1993:305 – 306). Kjo tezë vazhdon të konsiderohet relevante edhe në kontekstin aktual. Sipas Niklas Helwig (2023), pavarësisht avancimit institucional të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, Bashkimi Evropian ende nuk po mund ta transformoj fuqinë e tij ekonomike dhe normative në veprim efektiv gjatë krizave dhe konflikteve ndërkombëtare (Helwig, 2021:59).

Këto kufizime manifestohen sidomos në rastet e konflikteve të zgjatura dhe mosmarrëveshjeve territoriale, ku diplomacia e BE-së rezulton e pamjaftueshme për të prodhuar zgjidhje të qëndrueshme politike dhe paqësore.

Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht dialogu Kosovë – Serbi, përfaqësojnë një test të rëndësishm për kredibilitetin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian. Ndonëse BE-ja ka qenë aktori kryesor ndërmjetësues në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, rezultatet e zbehta të dialogut kanë vënë në diskutim aftësinë dhe kapacitetet e tij për të ushtruar ndikim transformues në mjedise komplekse të sigurisë dhe për të vepruar si garantues i paqes së qëndrueshme në rajon (Dopchie, 2022:20-21).

Kjo perspektivë është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar rolin dhe ndikimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Rajoni është konsideruar prej kohësh si një test kritik për kredibilitetin e politikës së jashtme evropiane, pasi ndodhet në kufijtë gjeografikë të unionit dhe përfaqëson një hapësirë strategjike ku BE-ja ka investuar burime të konsiderueshme politike, ekonomike dhe institucionale për promovimin e paqes dhe stabilitetit.

Ballkani Perëndimor –  sfidë e politikës së jashtme evropiane

Limitet e diplomacisë evropiane janë vërejtur qysh gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. Gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë në vitet `90, komuniteti evropian dhe më vonë BE-ja dështuan të parandalonin konfliktet e armatosura apo të impononin një zgjidhje efektive për palët e përfshira në konflikt. Vetëm pas angazhimit të drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s u krijuan kushtet për Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995.

Në mënyrë të ngjajshme, gjatë luftës në Kosovës në vitet 1998–1999, përpjekjet diplomatike evropiane rezultuan të pamjaftueshme, ndërsa ndërhyrja ushtarake e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, ishte vendimtare për përfundimin e luftës. Edhe në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka prodhuar një numër të madh marrëveshjesh teknike, por ka dështuar të arrijë objektivin kryesor: normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke. Marrëveshjet e arritura shpesh kanë mbetur të pazbatuara ose janë interpretuar ndryshe nga palët (Medovic, 2022:10).

Kjo ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi aftësinë dhe kapacitetet e BE-së për të garantuar zbatimin e obligimeve që ajo vetë ndërmjetëson. Argumenti kryesor ka të bëjë me mungesën e instrumenteve imponuese. Ndryshe nga SHBA-ja, e cila kombinon presionin diplomatik me fuqinë e saj politike, ekonomike dhe ushtarake, Bashkimi Evropian mbështetet kryesisht në fuqinë normative dhe në perspektivën integruese. Me ngadalësimin e procesit të zgjerimit dhe rënien e besueshmërisë së premtimit për anëtarësim, ndikimi i BE-së mbi aktorët rajonalë është dobësuar ndjeshëm. Për pasojë, hapësira për sukses është reduktuar edhe më shumë.

Ngjarjet e viteve të fundit kanë forcuar argumentin se avancimi në dialog, në disa raste, ka qenë më efektiv vetëm kur SHBA-ja është angazhuar drejtpërdrejt. Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, si dhe mbështetja amerikane për proceset e mëvonshme të normalizimit, treguan se implikimi amerikan është i domosdoshëm për lëvizjen e palëve drejt kompromisit në proceset negociuese.  Edhe Marrëveshja Bazë e vitit 2023 u mbështet fuqishëm nga koordinimi transatlantik, duke dëshmuar se BE-ja vazhdon të ketë nevojë për mbështetjen politike dhe strategjike të SHBA-së për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perendimor (Maliqi, 2023:9-11).

Normalizimi Kosovë-Serbi – sprova strategjike e BE-së

Që nga fillimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2011, pritjet ishin që ky proces të rezultonte me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas më shumë se 15 viteve negociatash, dialogu ka prodhuar disa marrëveshje, por shumë pak implementim konkret (European Commission, 2023:79-80).

Kjo është një dëshmi e limiteve të diplomacisë evropiane në rolin e saj si ndërmjetëse dhe njëkohësisht, ekspozon strategjinë e Serbisë për ta përdorur dialogun jo si instrument pajtimi e marrëveshjeje politike të qëndrueshme, por si mekanizëm për të ruajtur status quo-në dhe për të penguar konsolidimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Një nga kritikat më të shpeshta ndaj qasjes së BE-së ka qenë insistimi në neutralitet procedural, edhe në situata kur njëra palë ka shkelur sistematikisht marrëveshjet ose ka krijuar tensione të qëllimshme. Ndonëse në parim ndërmjetësimi kërkon paanshmëri, në praktikë, megjithatë, paanshmëria nuk mund të nënkuptojë barazim të përgjegjësive kur sjellja e palëve është thelbësisht e ndryshme (Gashi, Musliu, & Orbie, 2017:534 – 535).

Serbia ka vijuar të mos e njohë shtetin e Kosovës, të financojë struktura paralele në veri, të zhvillojë fushata diplomatike kundër njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të përdorë retorikë nacionaliste për qëllime të politikës së brendshme. Pavarësisht këtyre veprimeve destruktive, reagimi i BE-së ka qenë kryesisht deklarativ dhe pa pasoja serioze politike apo ekonomike.

Si rrjedhojë, është përhapur vlerësimi se mospërbushja e marrëveshjeve nuk prodhon kosto reale politike për Beogradin.

Serbia në vazhdimësi ka ndjekur një strategji të “negocimit pa synim marrëveshjen”, ku procesi shfrytëzohet për të fituar kohë, për të ruajtur mbështetjen financiare dhe politike të BE-së, ndërsa paralelisht vazhdon politika e mosnjohjes dhe obstruksioneve ndaj Kosovës. Kjo strategji është karakterizuar nga zbatimi selektiv i marrëveshjeve, interpretimi i njëanshëm i obligimeve dhe orkestrimi periodik i krizave të sigurisë që rikthejnë dialogun në pikën zero.

Si rezultat, dialogu është transformuar nga një proces normalizimi në një mekanizëm të menaxhimit të krizave. Një shembull ilustrues është Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, e cila u konsiderua si moment vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve. Ndonëse ajo u promovua nga Bashkimi Evropian si një arritje e rëndësishme në procesin e normalizimit, mungesa e mekanizmave detyrues për zbatimin e saj dhe refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar formalisht marrëveshjen e kanë zbehur ndjeshëm efektivitetin e saj. Edhe dy vite më vonë, shumica e dispozitave mbeten të pazbatuara, duke dëshmuar se diplomacia evropiane ka prodhuar marrëveshje politike pa instrumente detyruese të implementimit dhe kostove konkrete për palët që nuk përmbushin obligimet e marra (Stanicek, 2025:4-5).

Nga këndvështrimi i sigurisë rajonale, roli i Serbisë paraqet një sfidë të vazhdueshme për paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Beogradi ka ndërtuar një model të ashtuquajtur të stabilokracisë (Bieber, 2018:338-339), ku prezantohet para Bashkimit Evropian si faktor stabiliteti, ndërsa njëkohësisht ruan ndikimin mbi komunitetin serb në Kosovë dhe përdor tensionet si instrument negociues. Mbështetja financiare dhe institucionale për strukturat paralele në veri të Kosovës, mungesa e një distancimi të qartë nga individët e lidhur me aktet e dhunshme dhe terroriste të identifikuara nga autoritetet e Kosovës, si dhe refuzimi për të pranuar realitetin politik të pavarësisë së Kosovës, përbëjnë elemente që cenojnë ndërtimin e besimit ndërmjet palëve.

Serbia edhe më tutje vazhdon ta konsiderojë dialogun si mjet për ruajtjen e interesave të saj strategjike, duke kombinuar diplomacinë negociuese me politika destabilizuese ndaj Kosovës. Kjo strategji nuk synon normalizimin, por ruajtjen e një konflikti me intensitet të ulët, i cili mund të aktivizohet dhe te intensifikohet sa herë që interesat politike të Beogradit e kërkojnë.

Për sa kohë që këto dinamika do të vazhdojnë, dialogu Kosovë-Serbi do të mbetet më pak një proces për zgjidhjen e konfliktit dhe më shumë një mekanizëm për menaxhimin e paqëndrueshmërisë së përsëritur, duke nxjerrë në pah limitetet diplomatike dhe strategjike të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Të fundit nga rubrika