Le Monde: Adaptimi i “Odisesë” nga Christopher Nolan rihap debatin mbi rolin e grave dhe maskulinitetin në Greqinë e Lashtë

Në intervistën për Le Monde, Bodiou dhe Mehl analizojnë mënyrën se si filmi përfaqëson format e ndryshme të maskulinitetit në botën antike dhe argumentojnë se ky interpretim nuk flet vetëm për të kaluarën, por edhe për evolucionin e mënyrës se si shoqëritë moderne e kuptojnë pushtetin, gjininë dhe figurën e heroit

Mënyra se si Christopher Nolan i portretizon personazhet femra në adaptimin e tij të “Odisesë” ngre pyetje të reja mbi vendin e grave në rrëfimin homerik, por edhe mbi mënyrën se si shoqëria bashkëkohore lexon sot trashëgiminë e Greqisë së Lashtë.

Kjo është një nga çështjet qendrore të trajtuara në një intervistë të gazetës franceze Le Monde me historianet Lydie Bodiou dhe Véronique Mehl, autore të veprës Fjalori i Mashkullorësive në Greqinë e Lashtë.

Sipas tyre, adaptimi i regjisorit amerikano-britanik nuk kufizohet në rindërtimin spektakolar të poemës së Homerit, por ofron një interpretim të nuancuar dhe kompleks të marrëdhënieve gjinore, duke e vendosur figurën e Uliksit përballë debateve bashkëkohore mbi maskulinitetin.

Me një buxhet të jashtëzakonshëm, teknologji të avancuar dhe një kast aktorësh të njohur, filmi synon t’i japë kohës sonë një version të ri të eposit homerik. Megjithatë, sipas analizës së Le Monde, sfida kryesore e Nolanit nuk është vetëm artistike. Në një periudhë të shënuar nga lëvizja #MeToo dhe nga rikthimi i diskurseve maskuliniste, pyetja se si duhet të përfaqësohet Uliksi – një nga arketipet më të njohura të heroit mashkullor të Antikitetit – merr një dimension të ri kulturor dhe politik.

Artikulli vëren se regjisori duket i vetëdijshëm për këtë kompleksitet. Vetë Nolan ka bërë të ditur se për adaptimin e tij është mbështetur në përkthimin feminist të “Odisesë”, të botuar në vitin 2017 nga përkthyesja britanike Emily Wilson, një zgjedhje që sinjalizon përpjekjen për ta lexuar tekstin homerik përmes një perspektive bashkëkohore.

Të fundit nga rubrika