Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka paralajmëruar fermerët dhe qytetarët që të mos djegin hamulloret, kashtën dhe mbetjet bimore pas përfundimit të korrje-shirjeve. Shkelja e ndalimit mund të sjellë reduktim ose edhe përjashtim nga pagesat direkte.
Pas përfundimit të korrjes së grurit, në disa zona të Kosovës vazhdon praktika e djegies së hamulloreve dhe mbetjeve të tjera bimore.
Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka bërë thirrje që fermerët të mos përdorin zjarrin për pastrimin e parcelave, duke rikujtuar se kjo praktikë është e ndaluar me Udhëzimin Administrativ (MBPZHR) Nr. 02/2026 për Pagesa Direkte në Bujqësi.
Sipas Nenit 17, djegia e kashtës së grurit dhe mbetjeve të tjera bimore nga aktivitetet bujqësore është e ndaluar.
Mund të humbin pagesat direkte
MBPZHR ka paralajmëruar se shkelja e këtij ndalimi nuk është vetëm çështje e mbrojtjes së mjedisit.
Fermerët që nuk respektojnë rregullat mund të përballen me reduktim ose përjashtim nga pagesat direkte, sipas dispozitave të Udhëzimit Administrativ.
Ministria u kërkon përfituesve që mbetjet bimore t’i menaxhojnë në mënyrë të qëndrueshme, përfshirë përmes përfshirjes së tyre në tokë, përdorimit për ushqim të blegtorisë apo përdorimeve të tjera të lejuara.
Djegia rrezikon tokën, pronën dhe pyjet
Sipas MBPZHR-së, djegia e hamulloreve mund të shkaktojë përhapje të pakontrolluar të zjarrit dhe të rrezikojë shtëpitë, objektet, kulturat bujqësore dhe pronën.
Po ashtu, zjarret mund të përhapen në pyje dhe toka pyjore, ndërsa tymi ndot ajrin dhe dëmton tokën, mikroorganizmat, florën dhe faunën.
Djegia mund të ndikojë edhe në cilësinë e tokës, pasi humbet materie organike dhe ulet potenciali i saj agronomik.
Çfarë duhet të bëjnë fermerët?
Ministria rekomandon që mbetjet bimore të menaxhohen përmes metodave agroteknike, ndërsa një nga mënyrat kryesore është lërimi i cekët dhe përfshirja e mbetjeve në tokë, duke ndihmuar kështu në dekompozimin natyral dhe ruajtjen e pjellorisë.
Në parcelat pranë pyjeve ose zonave me rrezik të lartë për zjarr, rekomandohet edhe krijimi i brezave mbrojtës me lërim.
MBPZHR u bën thirrje fermerëve që të mos i djegin hamulloret në asnjë rrethanë, ndërsa qytetarët ftohen të raportojnë zjarret dhe rastet e rrezikshme tek autoritetet kompetente.
“Mos digjni – mbroni tokën, pronën, jetën dhe të ardhmen e bujqësisë”, është apeli i ministrisë.