Në ciklin “Dosjet” të emisionit ”Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, Saime Isufi ka thënë se Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla kishin udhëtuar në Stamboll në tetor të vitit 1981, ku ishin takuar me Sabri Novosellën.
Sipas saj, qëllimi i Kadri Zekës ishte të diskutonte mundësinë e bashkimit të organizatave. Ai, siç rrëfen Isufi, kishte marrë me vete dokumente dhe tezat e “Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, të cilat synonin të shërbenin si platformë për bisedimet.
“Kadriu kishte shkuar me dokumente të përgatitura përpara tij”, tha Isufi, duke shtuar se takimi nuk kishte përfunduar siç ishte pritur.
Sipas saj, në vend të afrimit kishte pasur përplasje verbale.
“Ai ishte kthyer në fyerje, sharje, ofendime. Nuk e di, nuk ndodhi. U kthye Kadriu shumë i dëshpëruar nga ai takim”, deklaroi ajo.
Isufi tutje ka rrëfyer se për përshtypjet nga Stambolli Kadri Zeka nuk i kishte folur vetëm asaj në cilësinë e bashkëshortes, por si bashkëveprimtare. Sipas saj, ai kishte folur për takimin edhe në praninë e Hasan Malës.
“Kadriu është ndarë shumë i dëshpëruar gjatë takimit që ka pasur aty dhe për momentin ka ndodhur një ftohje edhe mes Jusufit dhe Kadriut”, tha Isufi.
E pyetur drejtpërdrejt nëse takimi me Sabri Novosellën kishte ndikuar në ftohjen e përkohshme të marrëdhënieve ndërmjet Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës, ajo u përgjigj: “Po, po. Kjo ka ndikuar”.
Panduri e ka pyetur Isufin edhe për pretendimet se në takimin e Stambollit kishte qenë i pranishëm një përfaqësues i shtetit shqiptar, i njohur me emrin “Bujar Hoxha”. Isufi tha se nuk kishte informacion për një person të tretë në takim.
“Për atë nuk më ka thënë, nuk kam dijeni që ka qenë prezent një person i tillë, i tretë. Nuk e di”, deklaroi ajo.
Duke folur për shkaqet e mosmarrëveshjeve, Isufi tha se, sipas asaj që kishte dëgjuar, një prej problemeve lidhej me pretendimet mbi drejtimin e organizatës dhe përkatësinë e veprimtarëve në strukturat përkatëse.
Sipas saj, kishte pasur mospajtime se cilët veprimtarë i përkisnin njërës apo tjetrës organizatë dhe se kush kishte autoritetin për të vendosur për procesin e bashkimit.
Megjithatë, Isufi theksoi se ftohja ndërmjet Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës nuk kishte çuar në ndërprerjen e komunikimit.
“Kadriu nuk i ka pushuar bisedat me Jusufin. Ka pasë kontakte me telefon”, tha ajo.
Një moment i rëndësishëm në afrimin e tyre, sipas Isufit, ishte dasma e saj me Kadri Zekën, e organizuar më 2 janar 1982.
Ajo tregoi se para dasmës Kadri Zeka kishte pasur dyshime nëse Jusuf Gërvalla do të merrte pjesë për shkak të raporteve të krijuara pas Stambollit.
“Kadriu më pati thënë që ka mundësi që në dasmën që kemi përgatitur për ta bërë më 2 janar ’82, ndoshta mund të na mungojë Jusufi. Mirëpo Jusufi nuk mungoi, Jusufi me Bardhin erdhën”, ka rrëfyer ajo.
Sipas saj, gjatë dasmës Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla kishin pasur mundësi të bisedonin edhe veçmas.
Në këtë organizim, Jusuf Gërvalla kishte sjellë edhe gazetën “Zëri i Kosovës”. Isufi tha se kjo kishte shkaktuar reagime në mesin e disa veprimtarëve të pranishëm, pasi në atë kohë qarkullonte edhe gazeta “Liria” dhe zhvilloheshin përpjekjet për bashkimin e organizatave.
“Një pjesë e aktivistëve u kundërshtuan: si, pse, çfarë janë këto dy gazeta? Ne po bashkohemi, si t’i shpërndajmë?”, rrëfeu Isufi.
Sipas saj, Kadri Zeka kishte ndërhyrë menjëherë dhe kishte kërkuar që “Zëri i Kosovës” të shpërndahej pa kundërshtime.
“Kadriu i dha urdhër dhe iu tha: ‘E shpërndani pa asnjë fjalë’”, tregoi ajo.
Gazeta, sipas Isufit, më pas ishte shpërndarë dhe diskutimi ishte mbyllur.
Ajo tha se Jusuf Gërvalla kishte ndihmuar edhe në shtypjen e gazetës “Liria”, pasi dispononte pajisje teknike më të përshtatshme.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve që kishin dalë në sipërfaqe pas takimit në Stamboll dhe çështjeve rreth botimeve të organizatave, Isufi tha se Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla kishin vazhduar kontaktet dhe bisedimet.
“Përsëri ata u takuan, u bashkuan, ishin përsëri në bisedime për bashkim, edhe pas dasmës”, ka thënë Isufi.