Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në ditën memoriale të policëve të rënë në detyrë i ka përkujtuar të gjithë zyrtarët policorë që e kanë humbur jetën dhe specifikisht policin Enver Zymberi, i cili ishte vrarë gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës për ta shtrirë sovranitetin e vendit në veri.
“Në ditën kur përkujtojmë policët e rënë në detyrë, përulemi me respekt para veprës madhore të Enver Zymerit dhe secilit pjesëtar të Policisë së Kosovës, që dha jetën për sigurinë tonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ndërkaq ka kërkuar edhe miratimin e Ligjit të Pagave që sipas tij e kalon shifrën prej 14 milionë euro në vit.
Po ashtu, i pari i AAK-së ka kërkuar rregullimin me ligj të statusit të dëshmorit të rënë në krye të detyrës, për pjesëtaret e rendit dhe sigurisë.
Ai ka kërkuar edhe miratimin e dy ligjeve të tjera, atë për pensionimin e zyrtarëve të Policisë dhe të Inspektoratit të Policisë të Kosovës.
Ligji tjetër është ai për sigurimin shëndetësor për policinë, ligj i cili sipas Haradinajt nuk e kalon shifrën e katër milionëve.