Të enjten e 1 shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngarkuar me përgjegjësi dhe detyra të reja dy zëvendësministra të Qeverisë, të cilët i ka uruar për pozitën e re dhe u ka dëshiruar suksese në punën dhe angazhimin e tyre.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ish-zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Getoar Mjeku, është emëruar zëvendësministër i Ekonomisë.
Ndërsa, ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, është emëruar zëvendësministër i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Ndryshe më 29 gusht, kreu i qeverisë kishte deklaruar se asnjëri nga ministrat nuk është i paprekshëm, dhe se duhet të tregojnë performancë dhe sukses në punën e tyre.
“Nuk mjafton që të thuhet zv.ministri ose ministri i Vetëvendosjes nuk po vjedh por kjo duhet të shoqërohet me punë. Askush, asnjëri nuk ndihet i pa prekshëm”, kishte deklaruar Kurti.
Por, kur kishte adresuar pakënaqësitë për punën e ministrave, ai nuk kishte cekur ndonjë emër.