Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e vetmja zgjidhje për të dalë nga gjendja aktuale në arsim është ndërprerja e grevave nga mësimdhënësit dhe nisja e procesit mësimor për vitin e ri shkollor.
Gjatë vendosjes së gurthemelit të shkollës “Ilir Konushevci” në Podujevë, Kurti tregoi për masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që t’u dilet në ndihmë qytetarëve të vendit, duke përfshirë edhe mësimdhënësit.
“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit dhe nxënësit në shkolla. Nuk zhvillohet vendi pa arsimim”, është shprehur ai.
Po ashtu, kreu i qeverisë ka reaguar edhe për vendimin e Qeverisë së Serbisë, që të intonohet himni serb në fillim të vitit shkollor në të gjitha shkollat në Serbi, duke përfshirë edhe shkollat shqipe në Luginën e Preshevës.
Ai ka theksuar se kjo është një shenjë e dobësimit të Serbisë, teksa shtoi se shqiptarët që janë në Serbi janë të diskriminuar.
“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human. Përkundrazi, sa më e dobët që është Serbia karshi Kosovës, aq më shumë po egërsohet. Është një lloj agresiviteti i shtuar i Serbisë. Duhet kuptuar përbrenda dobësimit të saj në përgjithësi. Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik. Angazhohet për gjithë qytetarët pa dallim, por edhe për shqiptarët në Serbi”, ka thënë ai.
Ndërkohë, i pari i ekzekutivit ka folur edhe për vizitën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Ballkan, i cili nuk e vizitoi edhe Kosovën.
Ai gjatë vizitës së tij në Serbi, ishte shprehur i gatshëm të ndërmjetësojë në dialogun Kosovë-Serbi.
“Turqinë e kemi mik e aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet mes Kosovës e Serbisë, tash Kosova nuk është aty temë, por palë bëhet me ndërmjetësim të Brukselit e ndihmohet nga SHBA-ja. Nesër vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini e Parisi që do ta shoqërojnë Lajçakun, ndihma e gjitha shteteve mike është e mirëseardhur. Vizita në Ballkan kësaj radhe lidhet me Bosnjë. Nuk është se mund ta dimë qind për qind”, është shprehur Kurti.