A po i penalizon PDK kryetarët me performancë të lartë dhe të pakorruptuar?

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) nesër do ta mbajë Konventën e 11’të Zgjedhore ku pritet ta konfirmojë edhe për një mandat kryetarin aktual. Por, ky s’është zhvillimi i vetëm brenda këtij subjekti.

Në prag të zgjedhjeve lokale, Gazeta Express merr vesh se ky subjekt ka telashe me kandidaturat – specifikisht me atë të Ramiz Lladrovcit. Ky i fundit, që njihet për rezultate të mira të performancës në nivel lokal, në disa raste ka konfirmuar se do të jetë në garë. Një burim brenda këtij subjekti paralajmëron pasoja për bastionin e PDK’së – Drenasin – nëse do të këtë tentime për lojëra me kandidaturën e Lladrovcit.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, para një jave paralajmëroi Konventën Zgjedhore të këtij subjekti që do të mbahet këtë të shtunë. Krahas këtij zhvillimi, sikurse edhe në subjektet tjera, edhe PDK është përfshirë në ethet e zgjedhjeve lokale.

Por, si duket kjo situatë në PDK po përcillet me mospajtime dhe tensione. Burime të Gazetës Express, të mirinformuara rreth këtyre zhvillimeve, bëjnë me dije se disa eksponentë të këtij subjekti po përhapin informata “të besueshme” se askush nga kryetarët e deritashëm të komunave ku udhëheq PDK-ja nuk e ka të sigurt kandidaturën për mandatin e ardhshëm.

Por, sipas këtij burimi PDK i ka miratuar propozimet e degëve për kandidaturat edhe për një mandat, me përjashtim të Mitrovicës dhe Kaçanikut.

Siç mëson gazeta, asnjërit prej kryetarëve aktualë të komunave ku udhëheq PDK nuk u rrezikohet mandati, me përjashtim të Ramiz Lladrovcit.

Madje, thuhet se kryetari Memli Krasniqi nuk është kundër, por “disa anëtarë të Kryesisë që vijnë nga bastionet e kësaj partie, po”.

Pavarësisht se është thënë se kandidatët do të “përzgjidhen me kritere dhe në pajtim me Statutin e PDK-së”,  si duket ky nuk është rasti me Ramiz Lladrovcin.

“Pse Ramiz Lladrovci mund të jetë emër jo i pëlqyer nga anëtarët e Kryesisë së PDK dhe çfarë ka ndodhur? Cilat janë kriteret për kandidatët për kryetar nga PDK? Kujt i duhen rregullat e reja dhe loja shtesë në një bastion”, i ka thënë gazetës një bashkëbisedues anonim nga radhët e PDK-së i njohur me procesin e kandidaturave.

“Z.Lladrovci nga shtatë vitet e garës për grantin e performancës komunale, si asnjë kryetar tjetër i PDK-së, gjashtë herë është shpallë kampion i qeverisjes së mirë, një herë në vend të tretë, pa asnjë akuzë e as dënime gjyqi gjatë qeverisjes së tij. Ai ka të kaluar me kontribut politik e atdhetar si asnjë nga anëtarët e tashëm të kryesisë së PDK-së, për më tepër, është i njohur që me integritet kundërshton qasjen e “të fortëve” në qeverisjen lokale të Drenasit. Qeverisja e Lladrovcit, ka vlerësime të larta, madje sipas disa eksponentëve të PDK-së duhet ndjekur edhe nga të gjithë kryetarët e komunave ku udhëheq PDK si qeverisje shembullore e vlerësuar nga mekanizmat institucionalë, vendorë e ndërkombëtarë”, ka theksuar bashkëbiseduesi.

Ramiz Lladrovci udhëheq me Drenasin nga viti 2016. Ai i ka sjellë fitore PDK’së në zgjedhjet e fundit qendrore duke siguruar 19.614 vota, numra që vetëm Prishtina ia kalon, e cila me popullsi është disa herë më e madhe sesa komuna e Drenasit.

“Nëse Lladrovci nuk do të jetë kandidat i PDK-së, cili është mesazhi nga ky subjekt politik për më meritorët për kandidaturat në të ardhmen, për ngritjen e votave të elektoratit të këtij subjekti politik në nivel lokal e qendror, apo, cili do të jetë motivi për të aplikuar kandidatët më të mirë e më frytdhënës në të ardhmen? Kush do ta respektonte modelin e përzgjedhjes së kandidaturave, mbi çfarë kontributi dhe çfarë dëshmie kërkohet për të marrë konfirmimin e lojalitetit dhe besimit politik? Pyetje të thjeshta, por për subjektin serioz politik, janë me pasoja”, thekson zyrtari i kësaj partie.

Lladrovci deri më tani, disa herë ka deklaruar se do të jetë kandidat i degës së PDK-së për kryetar të Drenasit dhe kjo, sipas të gjitha gjasave, pritet të ndodhë.

Në të kundërtën, “nëse do të ketë votime për kandidaturën e tij me kundërkandidat dikë që mbledh topa prapa portave të “të fortëve”, beteja politike në bastionin e PDK-së, do të zgjerohet dhe ashpërsohet me pasoja për vetë subjektin politik, PDK-në”, tërheq vërejtjen një zyrtar i PDK-së me të cilin ka biseduar Gazeta Express.

Shija e redaktorit

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Komuna e Pejës nderon disa figura në ditën e çlirimit,...

Qyteti i Pejës të hënën e ka shënuar ditën e çlirimit ku Komuna është përkujdesur që qytetarëve t’iu ofrojë aktivitete të ndryshme. Dita nisi me...

Të fundit nga rubrika