Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është drejtuar deputetëve të Kuvendit pas ekspozesë së mandatit qeverisës nga Albin Kurti, duke theksuar se LDK është e gatshme për bashkëpunim institucional në Kuvend, veçanërisht për çështje madhore me interes shtetëror.
Në fjalimin e tij në Kuvend, Abdixhiku tha se momenti i konstituimit të institucioneve është çasti kur fjala e qytetarëve shndërrohet në mandat politik dhe barrë përfaqësimi për deputetët.
“Sot në këtë sallë vullneti juaj merr formë institucionale. Ai pushon së qeni vetëm shprehje e votës dhe shndërrohet në mandat politik. Ky është momenti kur fjala e qytetarëve bëhet barrë e përfaqësimit dhe kur politika duhet të ndalë së foluri për veten dhe të nisë të flasë për qytetarët dhe sfidat që i presin”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai shtoi se sfidat përpara institucioneve janë të shumta dhe se verdikti qytetar tashmë duhet të prodhojë rezultate konkrete.
“Vullneti i qytetarëve ka folur qartë, ka ndarë role dhe përgjegjësi, dhe këtë vullnet e ka vendosur LDK-në në opozitë. Ne e pranojmë këtë rol pa hezitim dhe pa justifikime, sepse respekti për votën është themeli i çdo demokracie serioze”, ka theksuar kreu i LDK-së.
Pas ekspozesë së kryeministrit të mandatuar, deputetëve iu drejtua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Hamza kërkon qasje të unifikuar për mbështetjen e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë