Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kritikuar qeverinë Kurti për mungesë të përmirësimeve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Në intervistë në emisionin Debat Plus, Abdixhiku ka thënë se mësimi që fillon javën e ardhshme do të nisë me të njëjtat sfida si në vitet e kaluara, pasi sipas tij nuk është bërë asnjë ndryshim i dukshëm.
“Fatkeqësisht ne s’jemi duke folur për problemet bazike të njerëzve tanë. Nuk jemi duke folur as për shëndetësi, as për arsim. Nis mësimi javën e ardhshme, pra me problemet e njëjta që kemi, pa ndonjë ndryshim thelbësor”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së tha se shoqëria është futur në një cikël përplasjesh të kota politike, ndërkohë që problemet reale të qytetarëve si arsimi e shëndetësia mbesin të patrajtuara.
Sipas tij, gjashtë muajt e fundit janë humbur në mbledhje apo mosmbledhje seancash, dështime të tyre dhe shkelje të Kushtetutës, pa trajtuar sfidat konkrete të qytetarëve.