Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas seancës konstituive të Kuvendit, ku Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit me votat e shumicës parlamentare.
Ai e ka cilësuar si “gabim trashanik” vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për të votuar kandidatin e propozuar nga Vetëvendosje.
Abdixhiku paralajmëroi se situata e krijuar me moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti jo-shumicë serb mund ta çojë Kosovën drejt një krize të re të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.
‘‘E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish opozitës PDK e AAK që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione. Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës, në radhë të parë pakicës serbe e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtë për propozim.
Ajo çka është fatkeq është që Kosova me institucionet e saj të mos mbetet peng i vullnetit të Beogradit. Ne s’marrim pjesë që s’i konsiderojmë si Kushtetuese në radhë të parë dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor’’, tha Abdixhiku.