Aktakuzë ndaj dy personave për faturat fiktive prej 18 milionë eurosh

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.P., dhe B.B., për shkak se ekziston dyshim i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale ‘’Dokumente të rrejshme lidhur me Tatimin’’.

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.P., gjatë muajve janar- mars 2020 në Prizren dhe Prishtinë, në cilësi të pronarit të biznesit ‘’B.K.,’’AG, me dashje ka përdorur ‘’Dokumentet e rrejshme’’, konkretisht 23 fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej 18 milionë euro të lëshuara nga biznesi ‘’B.BB’’ sh.p.k., me personin përgjegjës të pandehurin B.B., se kinse ka kryer ndërtimin e hotelit ‘’Lakeside’’ në Vërmicë-Prizren me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëme materiale në vlerë prej mbi 3 milionë eurosh, njofton Dukagjini.

“Po ashtu, i pandehuri B.B., gjatë muajve janar-mars 2020 në Prishtinë, në cilësi të personit përgjegjës të biznesit “B.BB” sh.p.k me dashje dhe me qëllim të mundësimit që biznesi ‘’B.K., AG’’ pronë e të pandehurit F.P., që t’i shmanget pagesës së tatimit në vlerë prej 3, 449,016.61€, i ka lëshuar gjithsej njëzetë e tre (23) fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej tetëmbëdhjetë (18) milionë euro kinse për punët e ndërtimit të hotelit Lakeside në Vërmicë/Prizren edhe pse ndërtimi nuk ishte kryer nga ky biznes, duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarës Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në vlerë prej 3, 449.016.61€, ndërsa vetë duke i lëshuar këto fatura fiktive i është shmangur pagesës së tatimit në vlerë prej 115,850.31 euro. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘’Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin’’ sipas nenit 308 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe te dënohen sipas ligjit.