Shoqata e Prodhueseve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë për pasojat që do të shkaktojë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për bizneset, siç është paralajmëruar nga data 16 gusht.
Në një postim në Facebook, kjo shoqatë thekson se nuk janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kjo duhet të bëhet me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme.
“Ne, prodhuesit e Kosovës, i bëjmë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos zbatojë masën e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për bizneset nga data 16 gusht.
Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë dhe uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, thuhet në njoftim.
“Ne nuk jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kërkojmë që ky proces të zbatohet në mënyrë transparente, me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me rajonin.
Prandaj, kërkojmë nga ZRRE të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme që mbron prodhimin vendor dhe ekonominë e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.