Ambasadori i BE-së u drejtohet qytetarëve: Dilni votoni, këto zgjedhje lokale janë provë për demokracinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Orav, mes tjerash, ka thënë se është thelbësore që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë të lirë dhe të drejtë teksa shton se këto zgjedhje lokale janë një provë për demokracinë e Kosovës, njofton Dukagjini.

“Me zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel, u bëj thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote, pavarësisht përkatësisë etnike apo preferencës partiake, të dalin në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Është thelbësore që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, që vullneti i votuesve të respektohet dhe rezultatet të zbatohen. Këto zgjedhje lokale janë një provë për demokracinë e Kosovës. Kalimi me sukses i kësaj prove i hap Kosovës mundësi të reja”, ka thënë Orav.