Arroganca që po e mban peng shtetin

Arroganca politike nuk manifestohet vetëm me deklarata fyese apo me gjuhë përjashtuese. Ajo manifestohet edhe duke e mbajtur peng shtetin, duke e lënë vendin pa institucione funksionale dhe duke u sjellë sikur jeta e qytetarëve nuk ka asnjë vlerë. Ashtu siç po bën Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e 7 qershorit përfunduan. Qytetarët folën. Votat u numëruan, rezultatet u certifikuan dhe, në teori, rruga drejt krijimit të institucioneve të reja duhej të ishte e qartë. Në praktikë, Kosova vazhdon të mbetet peng i kalkulimeve partiake, interesave personale dhe një arrogance politike që po e trajton shtetin si pronë private.

Asgjë nuk e ilustron këtë më mirë sesa zvarritja e procesit të konstituimit të Kuvendit. Edhe pse rezultatet janë certifikuar, seanca konstituive është caktuar për 6 gusht, gati një muaj pas cetifikimit. Një vonesë e tillë nuk është thjesht procedurale. Është politike. Dhe, si çdo vendim politik, ka pasoja.

Pyetja është e thjeshtë: pse nuk u thirr më herët?

Përgjigjja nuk gjendet në kushtetutë, as në rregulloren e Kuvendit. Ajo gjendet në llogaritë e partive politike, veçanërisht të Vetëvendosjes, e cila edhe kësaj radhe po e kontrollon ritmin e procesit. Nuk është hera e parë që afatet interpretohen sipas interesit politik. Kur pushteti e sheh kohën si instrument për të fituar avantazh, atëherë demokracia humbet kuptimin e saj.

Është e vështirë të mos krijohet përshtypja se kjo pritje lidhet edhe me zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kuvendi zgjedhor i kësaj partie, ku pritet votëbesimi për kryetarin Lumir Abdixhiku, ende nuk është mbajtur. Nëse kjo është pjesë e kalkulimit për të pritur lëvizjet e kundërshtarit politik, atëherë kemi hyrë në një fazë ku institucionet e shtetit po mbahen pezull për shkak të dinamikave të brendshme partiake.

Politika nuk funksionon vetëm me prova, por edhe me perceptime. Dhe perceptimi që krijohet është se askush nuk po nxiton të ndërtojë institucionet. Përkundrazi, secili po pret momentin që mendon se i levërdis më shumë.

Ndërkohë, qytetarët presin. Presin një Kuvend funksional. Presin një qeveri me mandat të plotë. Presin vendime për ekonominë, shëndetësinë, arsimin, energjinë dhe mirëqenien sociale. Askush nuk ua shpjegon pse duhet të presin edhe një muaj vetëm që politika të mbarojë hesapet e veta.

Në demokraci, zgjedhjet nuk janë fundi i procesit. Ato janë vetëm fillimi. Vullneti i qytetarëve duhet të përkthehet sa më shpejt në institucione legjitime. Çdo ditë vonesë është një ditë më pak efikasitet institucional dhe një ditë më shumë pasiguri politike.

Është ironike se edhe pasi të konstituohet Kuvendi, askush nuk garanton se kriza do të marrë fund. Përkundrazi, ajo mund të hyjë në një fazë të re, sepse mbi gjithë këtë proces qëndron hija e zgjedhjes së presidentit.

Kosova tashmë e di se çfarë ndodh kur politika dështon ta zgjedhë presidentin. Kushtetuta është e qartë: nëse nuk arrihet zgjedhja brenda afatit, vendi shkon sërish në zgjedhje. Kjo nuk është një hipotezë teorike. Është një mundësi reale.

* * *

Imagjinoni paradoksin. Një vend që ende nuk ka krijuar institucionet e dala nga zgjedhjet e qershorit mund të përballet me zgjedhje të reja në vjeshtë – jo pse qytetarët e kërkojnë këtë, por sepse politika nuk arrin të bëjë kompromis. Ky është absurdi në të cilin është futur Kosova.

Në vend se të diskutohet për programet qeverisëse, për investimet, për zhvillimin ekonomik apo për integrimet europiane, diskutimi sillet rreth datave, procedurave, afateve dhe bllokadave. Energjia politike shpenzohet për taktika, jo për zgjidhje.

Kjo kulturë e shtyrjes së vendimeve është bërë pothuajse normale. Sa herë që një proces kërkon përgjegjësi, ai zvarritet. Sa herë që nevojitet kompromis, ai zëvendësohet me kalkulim. Sa herë që duhet të mendohet për interesin publik, ai sakrifikohet për interesin partiak.

Më shqetësuesja është se askush nuk duket se ndien përgjegjësi për këtë. Të gjithë flasin për demokracinë, por pak e respektojnë frymën e saj. Demokracia nuk matet vetëm me ditën e zgjedhjeve. Ajo matet edhe me gatishmërinë për ta respektuar verdiktin e qytetarëve dhe për ta shndërruar atë në institucione funksionale.

Arroganca politike nuk manifestohet vetëm me deklarata fyese apo me gjuhë përjashtuese. Ajo manifestohet edhe duke e mbajtur peng shtetin, duke e lënë vendin pa institucione funksionale dhe duke u sjellë sikur jeta e qytetarëve nuk ka asnjë vlerë.

Në fund të fundit, faturën nuk e paguajnë partitë politike. Ato vazhdojnë fushatat, mbajnë konferenca për media dhe bëjnë llogaritë e radhës. Faturën e paguajnë qytetarët që presin shërbime më të mira, bizneset që kanë nevojë për stabilitet dhe një shtet që humbet muaj të tërë në një krizë që mund të ishte shmangur.

Politikanët shpesh ankohen se qytetarët po humbin besimin te institucionet. Por si mund të kërkojnë besim, kur vetë ata i trajtojnë institucionet si mjete presioni e pazari? Besimi nuk fitohet me slogane. Ai ndërtohet me përgjegjësi dhe me respekt për rendin demokratik. Kosova nuk ka luksin të humbasë kohë. Sfidat janë të shumta dhe kërkojnë institucione funksionale, jo institucione në pritje. Çdo ditë e humbur është një ditë që nuk kthehet më. Prandaj, pyetja nuk është vetëm pse seanca për Kuvendin u caktua për 6 gusht. Pyetja më e rëndësishme është se deri kur politika do ta konsiderojë normale ta mbajë shtetin pezull për shkak të interesave të saj.

Nëse edhe këtë herë gjithçka përfundon me një krizë të re dhe me zgjedhje të tjera, atëherë problemi nuk do të jetë më mungesa e numrave. Problemi do të jetë mungesa e kulturës demokratike, e përgjegjësisë dhe e vullnetit për të vendosur interesin e qytetarëve mbi interesin partiak.

Dhe kjo është forma më e rrezikshme e arrogancës politike: kur partitë politike mendojnë se mund të luajë pafund me kohën, durimin dhe besimin e qytetarëve, pa paguar asnjë çmim.

Të fundit nga rubrika