Dështimi për presidentin është çmenduri

Zgjedhja e presidentit nuk duhet parë si betejë prestigji. Nuk është as konkurs për të parë se kush e imponon kandidatin e vet. Është test për klasën politike se është e aftë ose jo të sillet si shtetformuese. Në radhë të parë, përgjegjësia bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje. Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, atëherë nuk kemi të bëjmë me papërgjegjësi, por me çmenduri

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka filluar takimet me kryetarët e partive parlamentare për të diskutuar rrugëdaljen nga ngërçi institucional dhe, mbi të gjitha, procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Por, kjo nuk mjafton. Kosova nuk ka nevojë për fotografi protokollare, shtrëngime duarsh dhe deklarata boshe pas takimeve. Ka nevojë për rezultat.

Nëse këto takime shërbejnë vetëm për të fituar kohë, për t’ia hedhur fajin njëri-tjetrit ose për të krijuar përshtypjen se “po bëhet dialog”, atëherë ato nuk kanë asnjë vlerë. Qytetarët nuk ushqehen me komunikata. Ata presin institucione funksionale, stabilitet politik dhe përgjegjësi.

Është e qartë se kompromisi nuk është më një opsion. Është domosdoshmëri. Nuk ekziston asnjë formulë tjetër që mund ta nxjerrë vendin nga bllokada.

Albin Kurti synon ta krijojë qeverinë me votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të deputetëve të komuniteteve joserbe. Nëse kjo arrihet, atëherë beteja e radhës do të jetë zgjedhja e presidentit. Pikërisht aty do të testohet pjekuria politike e të gjitha partive.

Presidenti nuk mund të zgjedhet nga një parti e vetme. Andaj do të ishte krejt normale që partitë opozitare të marrin iniciativën dhe të propozojnë një ose më shumë kandidatë për president. Jo kandidatë partiakë, jo figura që do ta vazhdonin luftën politike nga zyra e presidentit, por personalitete që gëzojnë besueshmëri publike, integritet profesional dhe mund të pranohen nga një shumicë e gjerë parlamentare.

Pastaj përgjegjësia kalon te Vetëvendosje. Nëse një ose më shumë kandidatë i plotësojnë këto kritere, atëherë partia fituese duhet ta bëjë kompromisin e nevojshëm dhe të votojë njërin prej tyre. Askush nuk do të fitonte gjithçka. Por të gjithë do të fitonin stabilitet.

Në demokraci, sidomos në sisteme parlamentare si i yni, kompromisi nuk është tradhti ndaj votuesve. Përkundrazi, është respekt ndaj shtetit. Politikanët nuk zgjedhen vetëm për të mbrojtur vijat e kuqe të partive të tyre, por për t’i zgjidhur problemet e vendit.

Fatkeqësisht, politika kosovare prej vitesh e ka kthyer kompromisin në sinonim të dorëzimit. Çdo lëshim paraqitet si humbje, ndërsa çdo kokëfortësi shitet si parim. Pikërisht kjo mendësi ka sjellë bllokada të njëpasnjëshme, zgjedhje të parakohshme dhe institucione që mezi arrijnë ta përfundojnë mandatin.

* * *

Çmimin nuk e paguajnë liderët politikë. Ata vazhdojnë karrierat e tyre, marrin paga, privilegje dhe shfaqen çdo mbrëmje në televizione. Çmimin e paguajnë qytetarët. E paguajnë bizneset që presin vendime. E paguajnë të rinjtë që vazhdojnë të humbin besimin se ky shtet mund të funksionojë normalisht. E paguan vetë Kosova, e cila në vend se të merret me zhvillim ekonomik, reforma dhe integrime, vazhdon të merret me krizën e radhës politike.

Prandaj, zgjedhja e presidentit nuk duhet parë si betejë prestigji. Nuk është as konkurs për të parë se kush e imponon kandidatin e vet. Është test për klasën politike se është e aftë ose jo të sillet si shtetformuese.

Në radhë të parë, përgjegjësia bie mbi Vetëvendosjen. Si partia më e madhe dhe forca që synon ta udhëheqë qeverinë, ajo duhet ta kuptojë se fitorja në zgjedhje nuk i zgjidh automatikisht të gjitha ekuacionet kushtetuese. Për presidentin nevojiten vota që nuk i ka. Dhe ato vota nuk fitohen me ultimatum, por me dialog dhe mirëkuptim.

Edhe opozita ka përgjegjësitë e saj. Nuk mjafton të refuzojë çdo propozim vetëm sepse vjen nga pushteti. Nëse vërtet pretendon se interesi shtetëror është mbi interesin partiak, atëherë duhet të ofrojë alternativa konkrete. Të propozojë emra, të negociojë dhe të jetë pjesë e zgjidhjes. Është shumë më e lehtë të thuash “jo” sesa të ndërtosh një marrëveshje.

Kosova nuk e ka luksin të futet sërish në një cikël të ri zgjedhjesh vetëm sepse politika nuk arrin të merret vesh për presidentin. Një krizë e re do të prodhonte edhe muaj të tjerë pa institucione të plota, pa vendimmarrje dhe pa stabilitet. Do të ishte një përsëritje absurde e një skenari që është parë shumë herë.

Ky nuk do të ishte thjesht një dështim politik, por papërgjegjësi e pastër. Do të ishte dëshmi se klasa politike ende nuk ka mësuar asgjë nga krizat e vazhdueshme që vetë i ka prodhuar.

Në fund, qytetarët nuk do ta mbajnë mend se kush fitoi një negociatë apo kush e imponoi një emër. Do të mbajnë mend vetëm nëse politika e bëri shtetin funksional ose e la sërish peng të egoizmit partiak.

Prandaj takimet që kanë nisur nuk duhet të jenë fundi i një procesi ceremonial, por fillimi i një marrëveshjeje reale. Nëse nga ato tavolina del një kompromis për presidentin, Kosova fiton stabilitet dhe një mundësi për të dalë nga kriza. Nëse jo, vendi rrezikon të hyjë sërish në një spirale bllokadash dhe zgjedhjesh që nuk zgjidhin asgjë. Një situatë e tillë nuk do të ishte më vetëm papërgjegjësi. Do të ishte çmenduri.

Të fundit nga rubrika