Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se prania e parazitit Anisakis simplex te peshqit e ngrirë nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, dhe se peshku është i sigurt për konsum pasi gatimi në temperaturë mbi 60 gradë Celsius asgjëson rrezikun e mundshëm.
“Në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë deti apo oqeani, i cili gjatë përgatitjes mund të shfaqë praninë e parazitëve të llojit Anisakis simplex – një dukuri e njohur ndërkombëtarisht në lloje të caktuara të peshkut. Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Megjithatë, AUV-i në komunikatë bën të ditur edhe rastet se kur mund të paraqitet rreziku, transmeton Dukagjini.
“Ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë) i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje , veçanërisht në përgatitje si ‘crudo’, sushi apo sashimi. Në këto raste, peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi. Kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore”.
Tutje, AUV-i bën të ditur se për të gjitha këto standarde bazohen në rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare si EFSA dhe FAO, dhe se kur ky produkt përdoret sipas udhëzimeve, nuk shfaq rrezik për shëndetin publik.