Veprimtari i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Harry Bajraktari, ka bërë të ditur se i ka nisur një letër zyrtare presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me shqetësimet e tij për Gjykatën Speciale, ku po zhvillohen proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Bajraktari njoftoi se përmes kësaj letre i ka kërkuar kreut të Shtëpisë së Bardhë angazhim konkret, me qëllim që Gjykata e Hagës të sigurojë një proces të drejtë gjyqësor për ish-përfaqësuesit e UÇK-së që aktualisht ndodhen në paraburgim, njofton Dukagjini.
“Si qytetar amerikan dhe përfaqësues i komunitetit shqiptaro-amerikan, sot i kam dërguar një letër zyrtare Presidentit Donald J. Trump, ku kam shprehur shqetësimin tim lidhur me Gjykatën Speciale dhe domosdoshmërinë që Shtetet e Bashkuara të angazhohen për t’u siguruar që ky mekanizëm të garantojë një gjykim të drejtë për ish-udhëheqësit e Kosovës — Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin — dhe për të tjerët që po mbahen në Hagë”, ka shkruar ai.