Profesori universitar, Arsim Bajrami, ka thënë se Kosova ka të drejtë të monitorojë proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale të Hagës, duke theksuar se një veprim i tillë nuk përbën ndërhyrje në pavarësinë e saj.
Sipas tij, Gjykata Speciale, edhe pse ndodhet në Hagë dhe ka staf ndërkombëtar, është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe është themeluar me vendim të Kuvendit.
“Monitorimi nuk do të thotë ndërhyrje, por garantim që gjykimet zhvillohen drejt dhe me transparencë, duke mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e vendit”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ai ka shtuar se Kosova, si çdo shtet sovran, ka të drejtë të sigurohet se drejtësia që bëhet në emër të saj respekton standardet më të larta dhe nuk shtrembëron të vërtetën historike.
Në këtë drejtim, Bajrami ka apeluar që Presidentja, si faktor i unitetit të popullit, t’u bëjë ftesë organizatave ndërkombëtare për të monitoruar proceset, të cilat, sipas tij, deri më tani janë shoqëruar me shkelje serioze të të drejtave të njeriut, të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e së drejtës penale ndërkombëtare.